Firmoset marrëveshja, Shqipëria pjesëmarrëse në Programit e Tregut të Përbashkët të BE për periudhën 2021-2027

Shqipëria do të marrë pjesë në Programin e Tregut të Përbashkët të Bashkimit Evropian për periudhën 2021-2027, pas marrëveshjes së firmosur mes Këshillit të Ministrave dhe BE. Lajmi bëhet me dije nga Ministria e Ekonomisë, ndërsa kjo marrëveshje do t’i lejojë sipërmarrësit shqiptarë, biznese dhe OJF, që të aplikojnë në thirrjet e BE-së për projekt propozime. Në rast se ato kualifikohen, bizneset shqiptare do të përfitojnë fondet e BE-së për të marrë pjesë, së bashku me bizneset e tjera të BE-së, në nismat e financuara nga BE.
“Kjo Marrëveshje do t’i lejojë sipërmarrësit shqiptarë (biznese dhe OJF) të aplikojnë në thirrjet e BE-së për projekt propozime në kuadër të shtyllës “Konkurrueshmëria e SME-ve” të Programit të Tregut të Përbashkët në faqen e dedikuar të internetit Calls for proposals – European Commission (europa.eu). Nëse propozimet vlerësohen të suksesshme, bizneset shqiptare do të përfitojnë fondet e BE-së për të marrë pjesë, së bashku me bizneset e tjera të BE-së, në nismat e financuara nga BE”, shkruhet në njoftim.
Fokusi i kësaj marrëveshje është pjesëmarrja e Shqipërisë në Shtyllën e Ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme. Sipas Ministrisë, synimi është forcimi i konkurrueshmërisë të biznesit të vogël dhe të mesëm, përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe rritjen e aftësive të sipërmarrjes.
“Forcimin e konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së SME-ve; Mbështetjen për SME-të, grupet, rrjetet dhe organizatat e tjera të biznesit, duke përfshirë Sektorin e turizmit; Rritjen dhe krijimim e NVM-ve; Lehtësimin e Akesit në tregje (përfshirë ndërkombëtarizimin); Rritjen e aftësive të sipërmarrjes; Përmirësimin e mjedisit të favorshëm të biznesit, transformim dixhital, mundësi të reja biznesi, duke përfshirë ekonominë sociale dhe modele inovative biznesi; Rritjen e Konkurrueshmërisë të ekosistemeve dhe sektorëve industrialë, zhvillimi i zinxhirëve të vlerës industriale; për shembull: turizmi, tekstili, ndërtimi, afërsia dhe ekonomia sociale; Modernizimin e industrisë, duke kontribuar në një ekonomi të gjelbër, dixhitale dhe elastike”, thuhet në njoftim.
Pjesëmarrja në këtë program i shërben përmbushjes së objektivave për integrimin e Shqipërisë në BE dhe angazhimet e marra në kuadër të procesit të integrimit europian në veçanti në Kapitullin 20 “Politikat industriale dhe ndërmarrjet”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




