Mazhoranca bashkon votat me PDIU, miraton Marrëveshjen për emigrantët, voton pro Zonave të Mbrojtura

Politikë | 3 vite më parë

Është votuar brenda pak minutash Marrëveshja Shqipëri–Itali për emigrantët.

77 deputetë të Partisë Socialiste dhe të PDIU-së e kaluan Marrëveshjen mes protestës nga ana e opozitës dhe zhurmuesve në Kuvend.

Votimi në Kuvend i kësaj marrëveshjeje vjen pas dhënies së dritës jeshile nga Gjykata Kushtetuese disa ditë më parë.

Gjykata Kushtetuese çmoi në vendimin e dhënë se negocimi dhe firmosja e marrëveshjes mes kryeministrit shqiptar dhe homologes së tij italiane, ishte e rregullt.

Ndonëse opozita pretendonte se Rama nuk kishte kërkuar autorizimin për negocimin dhe për nënshkrimin nga Presidenti, Kushtetuesja theksoi se kjo marrëveshje nuk ndryshonte territorin e Shqipërisë. Sipas Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se kjo marrëveshje parashikon kalimin në përdorim të dy zonave, nga shteti shqiptar te autoritetet italiane, sërish këto zona janë pjesë integrale e territorit shqiptar.

Demokratët kanë protestuar seancën e sotme, duke e cilësuar si të turpshme votimin e ligjeve pa miratimin e tyre.

Sakaq, në seancën e kësaj të enjte (22 shkurt), mazhoranca miratuar me 74 vota pro projektligjin për Zonat e Mbrojtura, ndonëse ky ligj u kundështua nga opozita dhe organizatat kryesore mjedisore shqiptare të cilat protestuan para Parlamentit kundër miratimit të tij.

Po ashtu, Partia Socialiste është tërhequr nga vendimi për miratimin në seancën e sotme plenare të projektligjit për Amnistinë Penale. Ky pr.ligj u kundërshtua nga opozita, e cila pretendon se favorizon zyrtarët e korruptuar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme