Berisha: Sot nisim betejën e mosbindjes civile kundër diktaturës së dytë

Politikë | 3 vite më parë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbajtur një fjalim virtual në protestën e opozitës para Kryeministrisë.

Duke folur nga shtëpia e tij, Berisha theksoi se kjo protestë është nisja e mosbindjes civile ndaj diktaturës së dytë siç e cilësoi ai.

“… ky 20 shkurt është edhe më i rëndësishëm se 20 shkurti i rrëzimit të shtatores së diktatorit.

Sepse ne inaugurojmë sot misionin tonë në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë, betejën pa kthim të mosbindjes civile kundër diktaturës së dytë, të bazuar në krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve. Betejën për çlirimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve nga narkodiktatura e shëmtuar e Edi Ramës.

Ne inaugurojmë betejën popullore pa kthim për rikthimin e votës së lirë dhe çeljen e dyerve të integrimit evropian të Shqipërisë, të mbyllura nga regjimi i Tiranës”, u shpreh Berisha,.

Berisha vuri në dukje se kryeministri Rama synoi asgjësimin e opozitës, ndërsa theksoi se “siç është faktuar tashmë, korrupsioni i Edi Ramës është rrezik real edhe për miqtë dhe partnerët tanë kudo në botë”

“Ne në këtë protestë uragan përcjellim mesazhin për botën se populli opozitar do i rezervojë diktaturës së dytë, dmth narkoshtetin të Edi Ramës, fatin që meriton, fatin që i rezervuam diktaturës komuniste 33 vite më parë.

Të dashur miq, ju jeni heronj të vërtetë të pluralizmit, sepse në ditët më të zeza për opozitën shqiptare, ju nuk u dorëzuat.

Pasi u vodhën vulën, logon e partisë, ju ndaluan emrin e kryetarit të partisë në fletën e votimit, 600 mijë prej jush, nxorët përpara gjokset shantazhit dhe presionit të narkoregjimit, por edhe mafies ndërkombëtare, dhe thanë jemi të pamposhtur”, tha më tej Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme