Konfederata e Opozitës së Bashkuar prezanton platformën politike kundër qeverisë

Partitë e opozitës u takuan këtë të premte (16 shkurt) për prezantimin e platformës kundër qeverisë dhe për krijimin e Konfederatës së Opozitës së Bashkuar.
Në tryezën e përbashkët morë pjesë përfaqësues nga Partia Demokratike, Partia e Lirisë, Partia Agrare Ambientaliste, Partia Republikane, Partia “Bashkimi për të Drejtat e Njeriut” (PBDNJ), Fryma e Re Demokratike, Balli Kombëtar, Partia e Bashkimit Liberal Demokrat, Bashkimi Demokrat Shqiptar, Lëvizja e Legalitetit, Partia Demokristiane.
Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, u shpreh se nisja e këtij procesi shërben për të sjellë në fron forcat politike.
Bashkë me kreun e republikanëve, Fatmir Mediu, ata paralajmëruan mbajtjen e një proteste më 20 shkurt, që synon të “sjellë rikthimin e pluralizmit dhe kushtetutshmërisë në vend”.
“Ta konsiderojmë hapin e sotëm fillimin e një procesi për të sjellë në këtë fron të gjitha forcat politike dhe shoqërore sepse nuk duhet të mbetet një lëvizje në rrafshin politik. Duhet që kjo të përfshijë qytetarët shoqërinë civile, që duke nisur nga protesta e 20 shkurtit deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të risjellim shpresën, të çojmë këtë popull e shoqëri në fitore. Fitore që do sjellë ndryshimin e gjithëkërkuar”, u shpreh Dule.
“Ne këtë platformë ia kemi ofruar pjesës më të madhe të partive opozitare. Tryeza është një derë e hapur pa asnjë lloj paragjykimi për këdo politikan dhe parti politike që do t’i bashkohet nismës për bashkimin e opozitës. Ka vetëm një kusht për gjithsecilin nga ne, sa moral edhe racional, që nuk mundemi të krijojmë marrëdhënie me mazhorancën pa ndërtuar një konsensus dhe veprim të përbashkët opozitar për çdo lloj nisme parlamentare ose joparlamentare. Nëse kemi ardhur në parlament me votën e opozitarëve shqiptarë, duhet të përfaqësojmë interesin opozitar dhe qytetarëve në radhë të parë, pastaj interesat tona preferenciale, përndryshe nuk do e arrijmë rezultatin. Kam bindjen që do të kemi mirëbesimin e shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë nëse do të kemi besimin dhe respektin për njëri-tjetrin.
Ka disa sfida të mëdha përballë, por sfida më e madhe është funksionimi i kësaj tryeze. Nuk është hap për ta lënë në kalendat greke, ndaj është detyrim i kësaj tryeze që të ngrejë një grup pune për të strukturuar mënyrën e organizimit dhe funksionimit të kësaj tryeze, si nga pikëpamja e koordinimit të aktivitetit, edhe të vendimmarrjes. Ideja është që të bashkohemi në qëllime të përbashkëta dhe çdo individ të jetë kontributor i këtyre qëllimeve. E dyta, që është imediate, ka të bëjë me kushtetutshmërinë e parlamentit dhe sidomos me reformën zgjedhore, duke pasur parasysh faktin që zgjedhjet janë në prag. Kemi menduar që një grup ekspertësh të marrë vendimet e shprehura nga partitë e kësaj tryeze, por edhe jashtë saj, për t’i kthyer ato në një qëndrim dhe vendim politik të përbashkët,” deklaroi Mediu.
Përfaqësuesit e partive opozitare shohin me shqetësim situatën e rëndë në Ballkan, cenimin e sistemit kushtetues, braktisjen masive të vendit nga shqiptarët dhe mospjesëmarrjen e diasporës në votime.
Ata ia kanë faturuar qeverisë “Rama” të gjitha shkaqet dhe arsyet që kanë çuar në pasojat e sipërpërmendura. Sipas përfaqësuesve të partive opozitare, qeveria kontrollon në mënyrë antidemokratike të gjitha pushtetet dhe se është e bazuar në korrupsion, krim, drogë e burgosje politike të liderëve të partive opozitare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




