Blinken lë Shqipërinë, niset drejt Gjermanisë. Përcillet në aeroport nga ministri Hasani

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka përmbyllur vizitën e tij njëditore në Shqipëri. Blinken është larguar duke u përshëndetur me homologun e tij, Igli Hasani, i njëjti që e priti sot paradite në aeroportin e Rinasit.

Blinken zhvilloi sot një sërë takimesh të nivelit të lartë duke nisur që me presidentin Bajram Begaj, me kreun e SPAK, Altin Dumani dhe për të vijuar më pas me kryeministrin Edi Rama.
Me këtë të fundit zhvilloi edhe një konferencë të përbashkët për mediat ku u adresuan mesazhe të rëndësishme për rolin e Shqipërisë në NATO dhe mbështetjen e SHBA-ve të Shqipërisë dhe Kosovës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu, në konferencën për mediat Blinken nënvizoi rolin e fortë të Shqipërisë dhe personalisht të kryeministrit Rama në mbështetje të Ukrainës.
Pasi ka falënderuar për mikpritjen e sotme në Tiranë, Blinken theksoi faktin se Shqipëria është një ndër 10 vendet, për frymë popullsie, që mbështet më shumë Ukrainën dhe rezistencën e saj kundër agresionit rus.
“Rama është një partner i jashtëzakonshëm për SHBA-në. Ky partneritit është më i fortë se kurrë më parë. Jemi në një rrugë me dy kalime ku të dyja vendet përfitojnë. Shqipëria është aleat kyç në NATO. Kemi folur për Ukrainën dhe kemi qenë bashkë në Këshillin e Sigurimit. Kemi folu edhe për sfidat me të cilat përballemi. Shqipëria ka qenë mbështetëse e fortë e Ukrainës. Ka qenë e para që ka ngritur dorën për ndihma në adresë të Ukrainës. Është një ndër 10 vendet që kontribuon më shumë, për frymë popullsie, për Ukrainën. Trupat shqiptare ndihmojnë që të frenojnë agresionin rus në krahun lindor të NATO-s. Kemi angazhimin e hekurt që të ndihmojmë njëri-tjetrin. Aleanca jonë është më e fortë. Shqipëria po bën pjesën e saj dhe po plotëson detyrimet ndaj NATO-s,” tha Blinken.
Si pjesë e aleancës ushtarake, Shqipëria në NATO ka luajtur një rol domethënës, shtoi Blinken, duke ndihmuar në ruajtjen e paqes në Kosovë dhe duke frenuar agresionin e Rusisë në krahun lindor të Aleancës.
“Të 31 aleatët tanë, që së shpejti do të bëhen 32, sjellin përvoja të ndryshme, aftësi të ndryshme, gjeografi të ndryshme, por secili prej nesh ka të njëjtin angazhim të fortë, i cili është i hekurt, që të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të sakrifikojnë. Përgjatë 15 viteve të saj në NATO, Shqipëria ka dhënë kontribute domethënëse për aleancën tonë. Trupat e Shqipërisë ndihmojnë në ruajtjen e paqes në Kosovë, për të frenuar agresionin e Rusisë në krahun lindor të NATO-s. Muajin e ardhshëm Shqipëria do të përurojë bazën e ajrore të NATO-s në Kuçovë” tha Blinken.

Sekretari Amerikan i Shtetit iu përgjigj interesimit të gazetarëve se përse nuk takoi drejtuesit e opozitës përgjatë ditës së sotme.
Duke folur në konferencën e përbashkët për mediat me kryeministrin Edi Rama, Blinken rreshtoi takimet që zhvilloi sot. Ai theksoi se kur të kthehet nga darka që i paraprin Konferencës së Sigurisë në Munih që do të mbahet më 16 deri më 18 shkurt në Gjermani do të takojë segmente të caktuara të shoqërisë shqiptare por pa përmendur emra konkretë.
Ai shtoi se pavarësisht kësaj, ai ka marrë mjaftueshëm nga takimet e vizitës së tij në vendin tonë.
“Unë kam pasur mundësi që të takohesha me një sërë njerëzish dhe grupesh të ndryshme përveç kryeministrit, ministrit të Jashtëm dhe ashtu të anëtarëve të kabinetit qeveritar. Kam pasur mundësi të takohem me disa prej personaliteteve të reformës në drejtësi. Kur të kthehem nga darka së cilës i detyrohem do të kem mundësi të takohem me segment tjetër të shoqërisë shqiptare dhe të gjithë aktorët e ndryshëm. Por mendoj se kam marrë mjaftueshëm nga kjo ditë dhe këtë e kam bërë me shumë kënaqësi”, tha Blinken duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve.
Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Blinken firmosi një sërë marrëveshjesh me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Marrëveshjet kanë të bëjnë me një memorandum mirëkuptimi ndërmjet qeverisë së Shqipërisë (Këshilli i Ministrave) dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për programin e shkëmbimit akademik “Fulbright” si dhe memorandumin e mirëkuptimit Shqipëri-SHBA kundër manipulimit të informacionit të shtetit të huaj.
Ndalesën e radhës Sekretari Amerikan i Shtetit do ta ketë në Munih të Gjermanisë ku do të mbahet edhe Konferenca e Sigurisë përgjatë datës 16 deri në 18 shkurt, konferencë në të cilat do të diskutohen çështjet e sigurisë dhe konfliktet e sotme, duke nisur nga pushtimi rus i Ukrainës, lufta mes Izraelit dhe Hamasit, kriza humanitare në Gaza por edhe tensionet midis Kosovës dhe Serbisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




