Zonat e mbrojtura natyrore, Tabaku mbledh organizatat në dëgjesë

Kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane në Parlamentin e Shqipërisë, Jorida Tabaku u takua me përfaqësues të shoqatave të mjedisit për të zhvilluar me ta një diskutim mbi propozimet që janë bërë për ligjin e zonave të mbrojtura dhe ligjin e investimeve strategjike.
“Në këtë rast shpresoj ta ndalojmë fare ligjin”, u shpreh deputetja.
“Ekonomia jonë”, tha sot Tabaku, “bazohet dhe mbahet nga turizmi”. Duke e konsideruar turizmin si një nga kapitalet më të çmuara për rritjen ekonomike të vendit, zonja Tabaku e adresoi këtë pikë të rëndësishme në diskutimin kombëtar edhe si pjesë të debatit me organizatat që merren me çështje të tilla.
“Dhe të gjithë biem dakord që së pari shkel legjislacionin dhe direktivën e BE-së; së dyti shkel marrëveshjen e stabilizim-asociimit; dhe së treti unë e shoh shumë të lidhur edhe me shtyrjen që mazhoranca është duke i bërë ligjit për investimet strategjike. Gjykoj që kërkesa për investime strategjike mund të ketë pasur në zona me interes të mbrojtura të cilat i lidhin të dyja iniciativat bashkë”, u shpreh Tabaku.
Si kryetare e Komisionit të Posaçëm për Çështjet e integrimit evropian, deputetja e Partisë Demokratike tha se zonat e mbrojtura dhe ruajtja e mjedisit janë disa nga kriteret kyçe edhe si pjesë e diskutimit në negociatat e ardhshme me Bashkimin Evropian.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




