Rama prezanton “Wolves Coming”, veprën e artistit kinez Ruowang në hyrje të Koplikut

Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me pamjet nga hyrja në qytetin e Koplikut në Malësinë e Madhe, ku është vendosur vepra “Wolves Coming”, e artistit kinez me famë botërore Liu Rouwang.
Duke vlerësuar veprën artistike, kryeministri Rama shton se ajo simbolizon reagimin e natyrës ndaj agresionit njerëzor dhe thirrjen “ulëritëse” për ta mbrojtur diversitetin.
“Me këtë vepër të bukur publike në hyrje të Koplikut, Malësi e Madhe, “Wolves Coming”, vepër e artistit kinez me famë botërore Liu Rouwang, e cila simbolizon reagimin e natyrës ndaj agresionit njerëzor dhe thirrjen “ulëritëse” për ta mbrojtur diversitetin, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
“Wolves Coming”, është një nga veprat e artit që janë vendosur në hapësira publike anembanë vendit.
Nisma “Art në Hapësira Publike” ka si qëllim përmirësimin e imazhit të infrastrukturës rrugore dhe ambienteve publike , që do të implementohen në mbikalime, rrethrrotullime e nyje infrastrukturore.
Kjo nismë e prezantuar në 2022 ka përfituar një fond prej 200 milionë lekësh, të cilin qeveria shqiptare ia besoi Ministrisë së Kulturës, sot Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Synimi është që kjo nismë të kthehet në një traditë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




