Berisha: Arresti shtëpiak ndaj meje, me urdhër të Edi Ramës. Përdori SPAK-un për të goditur opozitën

Politikë | 3 vite më parë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se arresti shtëpiak ndaj tij u bë me urdhër të Edi Ramës.

Sipas tij, kryeministri Rama përdori Sorosin, McGonigalin dhe kreun e SPAK-ut për të goditur liderin e opozitës shqiptare.

“Viti 2024 nisi në Shqipëri njëlloj si në Ugandën e Musevenit, Bjellorusinë e Lukashenkos, Teheranin e Ajatollahëve.

Kreu i organizatës kriminale të qeverisë shqiptare vendosi në arrest liderin e opozitës, duke i dhënë kështu opozitës shqiptare, pluralizmit politik, goditjen më të rëndë.

Duke spostuar Shqipërinë nga hapësirat euro-atlantike në hapësirat despotike diktatoriale.

Kjo ishte sigurisht një goditje shokuese për të gjithë demokratët dhe opozitarët shqiptarë”, u shpreh Berisha përpara protestuesve të mbledhur poshtë shtëpisë së tij.

Berisha vuri në dukje se Rama është i tmerruar nga beteja në Parlament dhe denoncimi që ka bërë opozita ndaj mazhorancës në pushtet.

“Edi Rama, i tmerruar nga beteja në parlament, i tmerruar nga fuqizimi i opozitës, denoncimi i përditshëm i aferave të tij kriminale, vjedhjes së shekullit, Dubai City-t të Durrësit, PPP-ve të tij.

I tmerruar nga denoncimet e vjedhjeve familjare, me familjen e tij të ngushtë.

I tmerruar nga qëndrimi juaj, zgjodhi të vendosë në arrest shtëpie Sali Berishën.

Duke besuar se në këtë mënyrë ai do heshtë zërin e tij. Miqtë e mi, vendosja në regjim arresti të një njeriu, për të cilin nuk ka asnjë fakt, asnjë provë, asnjë dokument, asnjë firmë që të faktojë se ka shkelje më minimale të ligjit, asnjë dëshmi që të faktojë se ka bërë presionin më të vogël, dëshmon karakterin fund e krye politik, dëshmon një akt frikacak të Edi Ramës”, theksoi Berisha.

Ai shtoi se Edi Rama përdori “grupin e tij të organizuar kriminal me në krye Damanin në Skapin e partisë për një vendim antikushtetues, antidemokratik kundër pluralizmit, për të cilin do të japin llogari gjithë jetën”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme