Kushtetuesja riktheu në Kuvend ligjin për ‘diplomat’, PD: Sfidë e qeverisë të mbulojë mungesat e mjekëve

Deputetja e Partisë Demokratike, Eralda Tase Bano, ka vlerësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila riktheu për plotësim në Kuvendin ligjin për studentët e Mjekësisë, e cila i kërkoi qeverisë të ulë vitet e bllokimit të diplomës.
Në një konferencë për median, Bano theksoi se, “jemi sot në pikën kur ky ligj do të rikthehet në parlament. Do të duhet punë dhe analizë e detajuar, për të sjellë në formë një projektligj i cili idealisht do të influencojë në përmirësimin e mungesave të theksuara në mjekë”.
Sakaq ajo theksoi se, “mbetet për t’u parë sesi qeveria do t’i kundërpërgjigjet këtij impulsi dhe si do të veprojë Universiteti i Mjekësisë Tiranë me vendosjen e tarifave të cilat në rast mosaplikimi të kontratës së detyrueshme, me rregull nuk duhet të aplikohen pasi çmimet absurde të dala nga këto institucione janë të papërballueshme nga studentët”.
Nga ana tjetër mbetet për t’u vëzhguar AKFAL – Agjencia Kombëtare e Zhvillimit të Arsimit të Lartë dhe si do reagojë kjo agjenci në terren të këtij projektligji”- u shpreh deputetja Eralda Tase.
Në vendimin e publikuar më 25 janar, Gjykata Kushtetuese pranoi pjesërisht kërkesën e studentëve dhe 30 deputetëve opozitar për shfuqizimin e disa pikave të ligjit. Ndërsa ligji i është kthyer Kuvendit për shqyrtim duke i lënë 30 ditë kohë për sa i takon korrigjimit të afateve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




