Komisioni i Zgjedhores mblidhet online, Gjiknuri-Alibeaj: Gjithë faktorët politikë janë të përfaqësuar

Politikë | 3 vite më parë

Komisioni i Reformës Zgjedhore ka zhvilluar mbledhjen e saj të parë online, pasi për dy herë radhazi nuk u lejua nga deputetët demokratë të Rithemelimit që të mblidhen fizikisht. 

Të dy bashkëkryetarët e komisionit, Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj, thanë se në komision janë të përfaqësuar të gjithë faktorët politikë.

Në mbledhjen e parë u miratua kalendari i punës së komisionit. Axhenda e ngjeshur parashikon që do të jetë administrata e cila do të përcaktojë listën e organizatave joqeveritare dhe partive politikë apo faktorëve të tjerë që duhet konsultuar për reformën zgjedhore.

I pari që mori fjalën ishte bashkëkryetari i PS, Damian Gjiknuri. Ai u bëri thirrje deputetëve të grupimit Bardhi-Berisha që të lejojnë zhvillimin fizik të mbledhjes ose procesi do të vijojë nga interneti.

“Siç u njoftuam më parë kjo mbledhje po zhvillohet online për arsye që dihen dhe së bashku me bashkëkryetarin Alibeaj për ta çuar këtë punë përpara në pamundësi për mbledhje fizike ju keni qenë dëshmitarë si jemi penguar për zhvillimin normal të mbledhjes. Ky komision duhet të ishte me prezencë fizike por fatkeqësisht një pjesë e opozitës e ka bërë të pamundur këtë gjë. Ky komision është I natyrës gjithëpërfshirëse pasi të gjithë faktorët politik janë të përfaqësuar në këtë komision dhe kanë ekspertët për të dhënë propozimet pavarësisht nga vijën këto. E rëndësishme është të fillojmë diskutimin dhe nuk mund të paragjykojmë punën pa nisur ende. I them kolegeve të na mundësojnë zhvillimin e mbledhje fizikisht ose të marrim pjesë online nëse e kanë të pamundur dhe duan të ndjekin kursin e bllokimit të punës. Duhet të fillojmë një konsultë të gjerë lidhur me propozimet dhe të jenë pjesë e këtij diskutimi për nxjerrjen enjë produkti sa më të mirë dhe për të përmirësuar Kodin Zgjedhor. Jemi në kohën e duhur dhe me intensitet mund ta mbyllim deri në mars,” tha Gjiknuri.

Edhe bashkëkryetari i PD, Enkelejd Alibeaj, tha se të gjitha rrymat brenda PD janë të përfaqësuar në Komisionin e Reformës Zgjedhore, ndërsa bëri përgjegjëse kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, se nuk po lejon zhvillimin normal të mbledhjes së komisionit.

“Autoriteti i të cilit ka detyrimin ligjor është  Kryetarja e Kuvendit, e cila për arsyet e veta jo dashamirëse ka lejuar ose toleruar pengimin e rregullt të veprimtarisë së këtij komisioni. Thirrja ime i adresohet Nikollës që të garantojë zhvillimin normal dhe efektiv të këtij komisioni dhe jo vetëm. PD i qëndron qëndrimit sipas rregullores që mbledhjet e komisionit duhet të zhvillohen në mënyrë fizike. Ky është një komision i kërkuar nga PD 2 vite më parë dhe sipas traditës më të mirë që reforma Zgjedhore të gëzojë legjitimitet të plotë, të përfaqësuar janë të gjitha partitë politike. Është e përfaqësuar edhe PD me të gjitha rrymat brenda saj. Kjo reformë duhet të gëzojë legjitimitetin publik dhe të adresojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe vendimet e Gjykatës kushtetuese që e bëjnë të detyrueshme ndërhyrjen e Parlamentit për të mbushur vakumin ligjor,” u shpreh Alibeaj.

Mbledhja e sotme e Komisionit të Reformës Zgjedhore ishte parashikuar fizikisht në orën 10.00, por nuk u lejua nga deputetët e grupimit Bardhi-Berisha, të cilët zunë ulëset e PS dhe vendosën zhurmues.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme