Apeli i Posaçëm lë në arrest shtëpie Sali Berishën. Gjokutaj: Vendim politik, vijojmë betejën

Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka lënë fuqi vendimin e parë arrest shtëpie për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Apeli i Posaçëm rrëzoi ankimimin e avokatëve të Berishës, duke e lënë këtë të fundit sërish në arrest shtëpie, në lidhje me çështjen për privatizimin e ish-klubit Partizani.
Avokati i ish-kryeministrit, Genc Gjokutaj ka bërë me dije se do të bëjnë rekurs vendimin e Apelit të Posaçëm, ndërsa e konsideroi vendimin e sotëm si politik. Ai garantoi se beteja e tyre do të vijojë.
“U dekriptua qëllimisht mbajtja në arrest shtëpie. Do bëjmë rekurs vendimin e Apelit të Posaçëm“, tha Gjokutaj.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuarme trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 25.01.2024, ora 09:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 27 akti, datë 16.01.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personit nën hetim/ankues S.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 520, datë 30.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit personal) dhe vendimit nr. 521, datë 27.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për përjashtim gjyqtari) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, dhe vendosi:Miratimin e nr. 520, datë 30.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në vendim.
Berisha ndodhet në arrest shtëpiak nga data 31 dhjetor. Masa u kërkua pas dyshimeve të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion se ish-kryeministri mund të ketë kryer veprën e korrupsionit dhe pastrimit të parave në privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



