Lira Pipa, zv.ministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Gonxhja: E specializuar në fushën ekonomike

Politikë | 3 vite më parë

Lira Pipa është emëruar zëvendësministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Vendimi është marrë në mbledhjen e kësaj të mërkure (24 janar) të qeverisë. Ministri Blendi Gonxhja ka reaguar, duke e cilësuar Pipën si specialiste në fushën ekonomike dhe të marketingut.

Pipa ka punuar më parë në DPSHTRR, ndërsa Gonxhja e cilëson atë si krahun e tij të djathtë.

“Kam privilegjin të prezantoj bashkëpunëtoren time shumëvjeçare, që prej APR, krahun tim të djathtë në DPSHTRR, e palodhur në shërbim të së mirës publike dhe interesit të vendit, nga sot zv. Ministër në Ministrinë e re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Lira Pipa! E specializuar në fushën ekonomike dhe të marketingut, dhe me një karrierë të pasur në art si fotografe e pjesëmarrëse në Bienalen e Venecias, Lira spikati përherë në administrimin e suksesshëm të sektorëve që ka drejtuar, me shumë integritet dhe kreativitet!”, shkruan Gonxhja në Facebook.

Ministri jep edhe detaje nga formimi profesional, i Pipës, teksa shkruan se ajo një karrierë të pasur në art si fotografe e pjesëmarrëse në Bienalen e Venecias dhe se, sipas tij ka spikatur në administrimin e sektorëve që ka drejtuar.

“Përgjatë veprimtarisë së saj në DPSHTRR, prej vitit 2019 është angazhuar në organizimin e nismave të shumta edukative mbi sigurinë rrugore, projektin risi RETRO për rijetëzimin e koleksionit të mjeteve historike shqiptare duke e kthyer në një lëvizje kulturore të njohur ndërkombëtarisht, organizimin e dy edicioneve të suksesshme të Automotive Fair Albania I dhe II – panairit më të madh automotiv në Shqipëri, programet menaxheriale për burimet njerëzore, si dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve përmes komunikimit e marketingut digjital si një qasje inovatore e administratës publike, duke dhënë një kontribut të çmuar në transformimin e imazhit të DPSHTRR, sot një institucion model dhe shembull suksesi e transparence. Ndjeshmëria e saj artistike, energjia që e karakterizon, ndërthurur me aftësinë e saj menaxheriale bashkohen në profilin bashkëkohor dhe modern në administrim, profil të cilin shumë nga ju tashmë e njohin”, përfundon postimin e tij Gonxhja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme