104-vjetori i Kongresit të Lushnjës, Balla: Historik për Shqipërinë. Na dha mesazhin e bashkimit

Politikë | 3 vite më parë

Festohet sot 104 vjetori i Kongresit Kombëtar të Lushnjës. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, klerik të besimeve fetare dhe përfaqësues të ndryshëm të pushtetit vendor kanë përkujtuar sot ngjarjen e madhe të historisë së kombit tonë.

Kongresi i Lushnjës u mbajt prej 21-deri më 31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një nga aktet e rëndësishme kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë.

Në përkujtim të kësaj dite historike të pranishmit kanë zhvilluar vizita në atë që njihet si shtëpia muze në Lushnjë ku më pas morën pjesë në një sërë aktivitetesh social-kulturore.

Gjatë fjalës së rastit përshëndetëse , ministri i Brendshëm, Taulant Balla, njëkohësisht dhe drejtuesi i qarkut të Partisë Socialiste, në fjalën e tij u shprehur se” Kongresi i Lushnjës është momenti më i rëndësishëm historik, pas shpalljes së Pavarësisë, pra nëse në Vlorë në 28 nëntor 1912 u shpall Pavarësia, shteti shqiptar e ka themelin në Lushnjë, në gjithë fizionominë e vetë,” tha ai.

Ndaj tha ai, Lushnja e bëri shtetin shqiptar me Kushtetutë, me Parlament, me organe kushtetuese dhe të së drejtës. Nga Lushnja, qeveria e vendosur këtu mori më pas vendimin, edhe për shkak të rrethanave që lidheshin me qeverinë e rrëzuar të Durrësit, për të shkuar e për t’u vendosur përfundimisht në Tiranë, aty ku mori udhë funksionimi i shtetit shqiptar.

Ministri Balla ka bërë një apel për gjithë kolegët e tij që sikurse u shpreh ai, duhet të kuptojmë mesazhin e bashkimit që për një çështje kaq të rëndësishme, patriotët e Shqipërisë u bënë bashkë 104 vjet më parë.

“Na takon ta ngremë shumë më lart atë që përfaqëson Kongresi i Lushnjës. Kongresi zgjati rreth 10 ditë, filloi në 21 dhe mbaroi në 31 janar, dhe na duhet ta lartësojmë këtë moment historik. Në fakt këtë mesazh bashkimi që solli ky Kongres. Por të mos harrojmë edhe arsyet pse u zgjodh Lushnja dhe merita e veçantë që kanë familjet e mëdha lushnjare, që u dhanë garancinë 50 delegatëve nga e gjithë Shqipëria, që në Lushnjë do të zhvillohej ky Kongres. Sot u shprehim dhe një falënderim gjithë familjeve lushnjare dhe gjithë popullit të Lushnjës, që në fakt gjithmonë ka treguar se është popull liridashës, i cili jo vetëm mbështeti krijimin real të shtetit shqiptar, por gjithmonë ka qenë popull paqedashës dhe atdhetar.”

Ndaj theksoi ai, në këtë aspekt, na takon të gjithë bashkë pa asnjë dallim të majtë të djathtë, siç u bashkuan, sepse prej Kongresit të Lushnjës dhe prej diskutimeve e prej formatimit të ri institucional dhe kushtetues, mori jetë dhe demokracia në Shqipëri. Prej këtij Kongresi, morën jetën dhe partitë e reja politike, qoftë Partia Popullore ku ishin Noli e Zogu, shoqata ‘Bashkimi’ ku ishte Avni Rustemi, etj. Në fund të fundit me politikanët duhet ta frekuentojmë më shpesh shtëpinë e Kongresit.

“Kongresi i Lushnjës ishte moment bashkimi, moment historik për Shqipërinë. Kur bëhej fjalë që mund të vazhdonte copëtimi edhe i mëtejshëm i Shqipërisë. Merita u takon atyre atdhetarëve që morën këtë vendim, por sot një meritë të veçantë ka populli i Lushnjës që garantoi zhvillimin normal 10 ditor të këtij Kongresi. Faleminderit e Gëzuar,” përfundoi deputeti i PS-së , në qarkun e Fierit, Taulant Balla.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme