Bllokimi i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Spiropali: Nëse nuk reflektoni s’do ketë më komisione bipartizane

Ministrja e Shtetit për marrëdhëniet me parlamentin, Elisa Spiropali ka bërë të qartë se askush nuk mund të bllokojë punën e komisionit për Reformën Zgjedhore, ndërsa u ka bërë thirrje opozitës që të zgjedhin mënyrën e duhur për të sjellë idetë dhe platformat për Kodin Zgjedhor dhe jo me “fjalë nga ballkoni apo gryka e bilbilave”.
Spiropali tha se komisionet bipartizane nuk ngrihen “për t’u përballur cjepërit brirë më brirë”, por për të dialoguar me kundërshtarin dhe nëse nuk ka reflektim, nuk do ketë më komisione të tilla.
“Nëse Komisioni i Reformës Zgjedhore është “instrument për t’u përballur me këtë qeveri dhe këtë kryeministër”, atëherë kush e mendon pa teklif kështu ka dy rrugë: Ose të përgatitet që tani për dështimin e afërt në këtë “përballje” – e bashkë me dështimin të përballet edhe me mbylljen e epokës së komisioneve bipartizane për reforma zgjedhore – ose të ndryshojë pa humbur kohë konceptimin e gabuar të një instance të tillë, duke e kuptuar tani, shpejt, se komisionet e ngritura për produkte ligjore konsensuale, nuk ngrihen për t’u përballur cjepërit brirë më brirë, po për të dialoguar kundërshtarët politikë në kërkim të kompromiseve të pranuara nga palët e përfshira në komision.
Partia Socialiste mirëpret çdo ide apo platformë alternative të të gjithë deputetëve, që nuk i drejtohen komisionit në fjalë nga ballkoni apo nga gryka e bilbilave, por askush nuk bën mirë ta harrojë se edhe Partia Socialiste ka idetë e veta. Ndërsa përballjen me këtë qeveri dhe këtë kryeministër, opozitat e disata që kemi në parlamentin e sotëm të karrigeve përmbys, flakadanëve tymhava apo gjumashëve kokëvarur, do ta kenë në qershorin e vitit të ardhshëm. Jo në komisionin e reformës zgjedhore. E patjetër që do të kenë mundësinë ta realizojnë dhe ta shijojnë deri në fund, siç e kanë realizuar dhe shijuar në 8 përballjet e fundit zgjedhore që nga viti 2013”, shkruan Spiropalit.
Deputetët e “Rithemelimit” kanë bllokuar punën e Komisionit të Reformës Zgjedhore, duke zënë karriget e deputetëve të mazhorancës, anëtarë të komisionit.
Ky vendim nga ana e “Rithemelimit” u bë shkak për largimin nga punimet e mbledhjes të Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së dhe bashkëkryetarit të Komisionit për Reformën Zgjedhore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




