Komisioni Parlamentar i Ligjeve ‘shkrin’ Agjencinë Kombëtare të Diasporës

Politikë | 3 vite më parë

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në mbledhjen online të enjten, mori në shqyrtim një projektligj dhe 6 projektvendime që lidhen me strukturat e institucioneve të pavarura të krijuara me ligj.

Mbledhja mori në shqyrtim projektligjin për shfuqizimin e ligjit “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës”, i cili u prezantua nga Artemis Dralo, zëvendësministre për Europën dhe Punët e Jashtme dhe u relatua nga deputeti, Eduard Ndreca.

Në prezantimin e saj, Malo paraqiti argumentet për nevojën e shfuqizimit të ligjit tashmë që diaspora ka një rol shumë të rëndësishëm në politikën e jashtme, duke shërbyer jo vetëm si urë lidhëse mes vendit të origjinës dhe vendit pritës, por dhe për zhvillimin ekonomik dhe social.

Ndër të tjera, Malo sqaroi se, krijimi i Agjencisë së Diasporës lindi si nevojë në kushtet kur ministri përgjegjës për diasporën ishte ministër pa portofol dhe më tej renditi arsyet për nevojën e suprimimit të kësaj Agjencie pas kalimit të diasporës në fushën e përgjegjësisë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Zëvendësministrja sqaroi se centralizimi i çështjeve të diasporës në aparatin e MEPJ-së do të krijojë lehtësi në qasjen koherente të politikave të angazhimit ndaj diasporës dhe mbikëqyrjen e zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Diasporës.

Nisur nga modelet e vendeve ku politikat për diasporën janë kompetencë e ministrive të jashtme, u theksua se zhvillimi dhe konsolidimi institucional me diasporën është një nga funksionet dhe shtyllat kryesore të shërbimit të jashtëm për realizimin dhe ndjekjen e të cilit do të jetë përgjegjës një departament pranë MEPJ-së, si dhe të gjitha përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Shqipërisë.

Deputeti Eduard Ndreca, në cilësinë e relatorit, vlerësoi rëndësinë e projektligjit për të forcuar komunikimin me diasporën vetëm nëpërmjet një kanali komunikimi dhe theksoi se nisma është bazuar në modelet më të mira evropiane dhe është në përputhje me Kushtetutën e Rregulloren e Kuvendit.

Në këtë mbledhje, kryetarja e komisionit, Klotilda Bushka njoftoi se dekreti i Presidentit për kthimin e ligjit “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë” do të shqyrtohet në një mbledhje tjetër.

/rtsh.al/

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme