Parlamenti nis të hënën sesionin e ri, votohen dekretet e presidentit për ndryshimet në qeveri

Parlamenti nis të hënën pasdite në orën 17:00 sesionin e ri.
Seanca e parë e Kuvendit pritet të miratojë kalendarin e punimeve të shqyrtuar në Konferencën e Kryetarëve, sikundër ndryshimet në Qeveri.
Edhe ky sesion pritet të ketë tensione dhe debate mes mazhorancës dhe opozitës.
Deputetët e opozitës mbështetës të Berishës dhe të Bardhit kanë paralajmëruar vijimin në Kuvend të akteve të mosbindjes civile.
Ata kanë bërë të ditur se që në seancën e parë plenare, do të pamundësojnë zhvillimin normal të Parlamentit, ashtu sikundër kanë vepruar seancat e shkuara të sesionit të kaluar.
Deputetet do të insistojnë për miratimin e komisioneve hetimore parlamentare, duke refuzuar si antikushtetuese ligjin e miratuar me votat e mazhorancës për funksionimin e këtyre komisioneve, sikundër do të kërkojnë rikompozim të Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ndryshimin e bashkëkryetarit të opozitës, duke zëvendësuar Enkelejd Alibeajn me Oerd Bylykbashin.
Krahas debateve me shumicën, deputetët mbështetës se ish-Kryeministrit Berisha dhe Kreut te grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi, kanë edhe një debat të brendshëm mes opozitës, pasi Lulzim Basha kërkon që ky komision të mos ndryshojë përbërjen.
Ish-kryeministri Berisha nuk do të jetë i pranishëm në seancë, pasi që prej datës 30 dhjetor është nën masën e arrestit të shtëpisë sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme.
Ndërsa në radhët e mazhorancës, mungesa 6-mujore të Arben Ahmetaj në arrati, do të plotësohet me deputetin e ri Plarent Ndreca, i cili do të përfitojë mandatin parlamentar pasi paraardhësja e tij në listën e kandidatëve për deputet, Dallëndyshe Bici, refuzoi të marrë mandatin.
Gazetare: Anisa Kadesha
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



