Marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët/ 30 deputetë demokratë shkresë Kushtetueses: Seanca të jetë e hapur

Politikë | 3 vite më parë

30 deputetë demokratë kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e marrëveshjes së emigrantëve mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në kërkesën e depozituar në Kushtetuese nga Gazment Bardhi, thuhet se Këshilli i Ministrave ka vepruar në mungesë konsultimi dhe transparence në fazën e negocimit dhe nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje qoftë me aktorët institucionalë vendas dhe ndërkombëtarë, ashtu edhe me median, shoqërinë civile dhe qytetarët.

“Në këto kushte”- theksohet në kërkesë-“shqyrtimi i çështjes nga Gjykata Kushtetuese është një mundësi për të bërë transparencë të plotë mbi procedurën e ndjekur dhe përmbajtjen e këtij Protokolli. Kjo transparencë mund të realizohej vetëm në kushtet kur shqyrtimi i çështjes do të bëhej në seancë plenare publike”.

“Transparenca e munguar nga Këshilli i Ministrave gjatë negocimit dhe nënshkrimit të këtij Protokolli, duket se vazhdon edhe gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese, për sa kohë që publiku dhe mediat nuk kanë mundësi që të njihen me materialet e çështjes dhe të dëgjojnë qëndrimet e palëve, pyetjet e Gjykatës dhe përgjigjet e tyre, si dhe debatin gjyqësor. Po ashtu, sjellim në vëmendje se të gjitha kërkesat e paraqitura nga subjekti kushtetues jo më pak se një e pesta e deputetëve gjatë kësaj legjislature janë shqyrtuar në seanca plenare publike pikërisht nga interes i veçantë publik që mbartin. Për më tepër, edhe po t’i referohemi precedentit të vendimit nr. 15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese, konstatojmë se shqyrtimi i çështjes është bërë me dyer të hapura”, thuhet në shkresë.

Deputetët demokratë kërkojnë shqyrtimin e kësaj çështje në seancë plenare publike.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme