Noka: Opozita drejt bashkimit në një federatë, por jo me Bashën dhe Alibeajn

Numri dy i Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka, ka deklaruar të enjten një synim të ri drejt bashkimit të opozitës shqiptare.
Në një konferencë për mediet në lidhje me fazën e bisedimeve për bashkimin e opozitës, ai tha se “me aleatët ne jemi në bisedime për të hedhur një tezë për krijimin e një federate”.
“Sigurisht në kontaktin e parë që kemi është diskutuar dhe është lënë që të hartohet një platformë për të konceptuar idenë e bashkimit. Dhe jemi në përpjekje të vazhdueshme për të bashkuar opozitën”, u shpreh ai.
Por ai hodhi poshte kategorikisht bashkimin me atë që quhet grupimi zyrtar i PD udhëhequr nga Basha e Alibeaj. “Kur të flasin për çështjen e qeverisë dhe për ushtarët e saj mund të përfshijnë Bravën. Brava dhe Alibasha për ne nuk janë opozitë”, tha me ironi Noka.
Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka, kujtoi se “Kuvendi Kombëtar i PD miratoi një rezolutë. Rezoluta qartëson shumë mirë rrugën e forcës tonë politike Aksioni opozitar dhe mosbindja civile në parlament, aksion opozitar dhe mosbindje civile në terren”, u shpreh Noka.
I pyetur në lidhje se si do të vijohet me komisionin e reformës zgjedhore, Noka tha se “ne kemi bërë punë të madhe për bashkimin e PD dhe të opozitës dhe po vazhdojmë ta bëjmë”.
“Jemi të hapur në këtë pikë dhe çdo individ tjetër që është demokrat dhe opozitar, përjashto Bravën dhe Alibashën, do jetë pjesë e punës tonë për t’u bashkuar dhe për të krijuar frontin apo federatën kundër këtij regjimi kriminal që kemi përballë”. “Në këtë bashkim, përjashtohen vetëm dy pengjet, njëkohësisht mercenarët e Edi Ramës” përsëriti me këmbëngulje Sekretari i Përgjithshëm Rithemelimit në Partinë Demokratike Flamur Noka.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



