Ish-kryeministri Berisha flet nga dritarja: Luftoni për lirinë tuaj. Nuk duhet ta lëmë vendin pa opozitë

Politikë | 3 vite më parë

Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili prej disa ditësh ndodhet në arrest shtëpie, i është drejtuar mbështetësëve të tij të mbledhur poshtë banesës përmes një fjalimi nga dritarja.

Berisha iu drejtua atyre duke thënë se duhet të luftojnë për lirinë dhe të drejtat e tyre duke mposhtur frikën.

Ai përsëriti thirrjet e tij kundër qeverisjes së kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se qeverisja e këtij të fundit mbështetet në vjedhjen e votave dhe paratë e krimit.

“E keqja që po rrënon kombin quhet Edi Rama dhe regjimi i tij. Në rast se mendojmë se ccfarë është shpresa, shpresa është rrezja që shpon ccdo errësirë e tunel dhe që jep dritë udhës që duhet të ndjekim. Shpresa sot jeni ju, me qëndresën tuaj, ku keni vendosur të përballeni me diktaturën dhe të qëndroni si opozitarë të pamposhtur.

Edi Rama, nuk ka të ardhme. Plaçkitja e votës së shqiptarëve dhe pushteti mbi drogën shumë shpejt do jetë para gjyqit të historisë.

Ju jeni burra dhe gra që jeni besnik të vërtetës dhe Zotit. Nuk ka sot gjë më jetike se sa besimi juaj dhe i të rinjve, burrave e grave të saj. Censusi mbahet sekret, ai tregon se nga 2.9 mln në vitin 2013, sot nuk jemi as 1.5 mln në Shqipëri.

Kurrë në histori, një luftë apo epidemi nuk ka dërrmuar shqiptarët siç ka bërë sot regjimi i Edi Ramës.

Luftoni për lirinë dhe të drejtat tuaja, por kjo miqtë e mi kërkon të vrasim frikën. Na duhet që të rikujtojmë dhe njëherë armën me të cilën Papa Gjon Pali u bë Papa liberator, në kulmin e territ të diktaturave komuniste, ai iu drejtua besimtarëve me një fjalë të vetme. Mos jini të trembur, mos kini frikë. Ajo fjalë u shndërrua në shpatën e idealeve me të cilat njerëzit e shtypur luftuan dhe mposhtën diktaturat komuniste. Kjo është një apel për çdo qytetar shqiptar, se këta duken të fortë vetëm se nuk ngrihemi ne. Ne duhet të rrënojmë ëndrrën e Edi Ramës për një vend pa opozitë”, u shpreh ai.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme