“Beleri”, Rama paralajmëron zgjedhje të reja në Himarë: Jorgo Goro në krye të bashkisë, ngërç që duhet zgjidhur

Politikë | 3 vite më parë

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Bashkinë e Himarës. Në një postim në X (dikur Twitter), Rama sjellë në analizë vendimin e Gjykatës së Posaçme (GJKKO) mbi mosdhënien e lejes për betimin e Fredi Belerit si krybashkiak i Himarës.

Sipas Ramës, ky është një vendim korrekt, por shton se nga ana tjetër, Jorgo Goro, ish-kryebashkiaku i Himarës, nuk mund ta drejtojë më Bashkinë. Kreu i qeverisë shton se ky ngërç, sipas tij, mund të zgjidhet bazuar në praktikat më të mira europiane.

“Referimi nga ana e GJKKO e ngërçit që krijohet në vazhdimësinë e përkohshme të detyrës nga ana e kandidatit humbës, përderisa faktikisht kryebashkiaku i zgjedhur mbetet në paraburgim, ndërkohë që kryebashkiaku ende në zyrë nuk e ka legjitimitetin për të drejtuar bashkinë në mungesë të fituesit, e bën qartësisht të lexueshme dhe lehtësisht të kuptueshme nevojën e daljes nga ky ngërç përmes ndërprerjes së vazhdimësisë së qëndrimit në detyrë të kandidatit humbës, bazuar në praktikat më të mira europiane për sigurimin e shërbimeve publike në bashkinë e Himarë. Si përfundim, ky vendim i arsyetuar i GJKKO është një konfirmim i padiskutueshëm ligjor i “çështjes Beleri” si një çështje e drejtësisë, assesi e politikës apo kurrësesi e organeve të qeverisë qendrore. Po ashtu arsyetimi i këtij vendimi krijon një premisë pozitive për adresimin e ngërçit të lartpërmendur.s”, shkruan Rama.

Edhe njëherë, kryeministri thekson se vendimi i arsyetuar i GJKKO-së konfirmon se kjo është një çështje  drejtësisë dhe “assesi e politikës apo kurrsesi e organeve të qeverisë qendrore”.

 “Mosdhënia e lejes për betim në kushtet e paraburgimit nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rezulton përfundimisht një qëndrim korrekt ligjor, ashtu sikundër edhe refuzimi i gjykatës speciale ndaj kërkesës është qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm. Fakti që kryetari i zgjedhur i Himarës mbetet i tillë deri në fund të gjykimit dhe vetëm shpallja me vendim të formës së prerë do të përcaktojë mundësinë e tij për t’u betuar në rast pafajësie apo pamundësinë e tij për të mbetur kryebashkiak në rast fajësie, është po ashtu qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm”, shkruan Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme