Sulmi në universitetin e Pragës, Rama: Shqipëria dënon dhunën vdekjeprurëse

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas sulmit me armë që ndodhi në universitetin e Pragës pasditen e sotme ku mbetën të vdekur 15 persona.
Përmes një postimi në rrjetin ‘X’, Rama shkruan se kjo ngjarje ka tronditur të gjithë ndërsa ka shprehur ngushëllimet e rastit.
Rama thekson më tej se Shqipëria dënon ashpër dhunën vdekjeprursë dhe qëndron “pranë miqve të saj çekë në këtë kohë të vështirë”.
“Sulmi i tmerrshëm në Universitetin Charles në Pragë na ka tronditur të gjithëve. Ngushëllimet e mia shkojnë për familjet e viktimave. Shqipëria dënon ashpër dhunën vdekjeprurëse dhe qëndron pranë miqve të saj çekë në këtë kohë të vështirë”, shkruan Rama.
Ndërkaq më herët sulmin me armë e dënuan edhe liderët e politikës evropian, midis tyre edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’ von der Leyen shkruan se është e tronditur nga “dhuna e pakuptimtë që mori jetën e disa njerëzve”.
“Jam tronditur nga dhuna e pakuptimtë e të shtënave që mori disa jetë njerëzish sot në Pragë. Unë shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet e viktimave dhe për popullin çek në tërësi. Ne qëndrojmë dhe vajtojmë me ju”, shkroi ajo në rrjetin social X.
Ngjarja
Të paktën 15 persona kanë mbetur të vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga të shtënat në universitetin e Pragës pasi një person qëlloi me snajper në drejtim të tyre.
Ndërkaq sipas policisë autori i këtij sulmi është eliminuar. Ngjarja ndodhi në sheshin Jan Palach të Pragës, ndërsa janë evakuuar personat e ndodhur nën sulm.
“E gjithë ndërtesa aktualisht është duke u evakuuar dhe ka disa të vdekur dhe dhjetëra të plagosur në vend”, tha policia në platformën e mediave sociale X.
Një email dërguar stafit dhe studentëve në Fakultetin e Arteve të Universitetit Charles, thoshte se një person ishte vendosur në një nga ndërtesat dhe i kishte thënë stafit të “mos lëvizte”
“Mos shkoni askund, nëse jeni në zyra, mbyllni ato dhe vendosni mobilje para derës, fikni dritat”, thuhet në email.
Në rrjetin social X qarkullojnë foto të një grupi studentësh të strukur në një parvaz të ndërtesës.
Policia ka mbyllur sheshin dhe zonën ngjitur me ndërtesën e universitetit, e cila ndodhet në një pjesë të frekuentuar të qytetit që ka një rrugë të njohur që çon turistët në Sheshin e Qytetit të Vjetër.
“Sipas informacioneve paraprake, vetë sulmuesi duhet të jetë i vdekur, ka të vdekur dhe të plagosur në vendngjarje, nuk do të spekuloj tani për numrin përfundimtar”, tha ministri i Brendshëm Vit Rakusan në televizionin çek.
Kryeministri Petr Fiala anuloi udhëtimin e tij në lindje të vendit dhe po shkon drejt Pragës. Krimi me armë është relativisht i rrallë në Republikën Çeke.
Në dhjetor 2019, një person i armatosur 42-vjeçar vrau gjashtë persona në një dhomë pritjeje spitali në qytetin lindor çek të Ostravës përpara se të ikte dhe të qëllonte veten për vdekje, transmeton Reuters.
Në vitin 2015, një burrë qëlloi për vdekje tetë persona dhe më pas vrau veten në një restorant në Uhersky Brod. Nga ana tjetër, presidentja e Këshillit Evropian, Ursula von der Leyen ka reaguar pas sulmit që ndodhi në Universitetin e Arteve në Pragë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



