Noka: Dhuna e ushtruar ndaj Majave nga fisi Rraja nuk mund të përkufizohet nga prokuroria si ‘plagosje e lehtë’

Politikë | 3 vite më parë

Sekretari i Përgjithshëm i ‘Rithemelimit’ të Partisë Demokratike, Flamur Noka reagoi të dielën me anë të një deklaratë për shtyp, lidhur me vendimin e Prokurorisë për dhunën ndaj Bilbil dhe Jashar Majës, duke i akuzuar të dyshuarit për “plagosje e lehtë’ dhe ‘kanosje’.

“Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për bandën e ish- deputetit, Rrahman Rraja, që ushtroi dhunë intensive dhe gjakatare ndaj Bilbil dhe Jashar Majës. Akuza e prokurorëve është ‘plagosje e lehtë’ dhe ‘kanosje’, u shpreh Noka nëpërmjet deklaratës.

Sipas tij, në asnjë teori apo literaturë të kriminalistikës, dhuna e ushtruar ndaj Majave nuk mund të përkufizohet si ‘plagosje e lehtë’.

“Prokuroria flaku nga akuza shkopinjtë e bejsbollit, të cilët në asnjë manual, hiq rastin kur përdoren në rolin e tyre fillestar, për të luajtur bejsboll, nuk mund të konsiderohen si mjete të dhunës së lehtë. Thyerja e dy kockave të kafkës dhe parakrahut, vlerësohet plagosje e lehtë nga Prokuria dhe kjo është tallje cinike me viktimat. Eshtë mbrojtje e hapur e kriminelëve”, theksoi Noka.

Noka shtron pyetjen se a e kanë parë prokurorët të paktën një anëtar të Rrajave që i rri me pistoletë te koka kushërinjve të gjakosur Maja?!

“Një pistoletë e drejtuar, jo në kushtet e vetëmbrojtjes, por të agresionit është kërcënim për jetë, jo kanosje”, u shpreh ai.

Noka theksoi se, “Partia Demokratike e konsideron një turp për prokurorinë akuzën e ngritur, e dënon me neveri dhe kërkon rishikimin e saj. Edhe pse presioni i qeverisë, i të fortëve të fisit apo shoqërisë së Rrajave, ka qenë i pranishëm, prokurorët janë të dënuar të japin drejtësi sidomos në raste të tilla kur ceshtjet, para se të shkojnë te organi i akuzës, kanë kaluar nga gjykata e opinionit publik”.

Sipas tij, akuza e holluar me ujin e zi të korruptimit moral e shpirtëtor është sinjal se Rrajat plagosin rëndë dhe dënohen lehtë.

“Se ata gëzojnë sërish mbrojtje, të cilën do ta përdorin për kërcënime, krime dhe dhunë në zone; si kur banorët nuk pajtohen me shkeljet e tyre, apo kur ata nuk duan të votojnë partinë e zemrës së Rrajave, atë Socialiste. Prokuroria ka minuar besimin e publikut për drejtësi dhe u ka thënë Majave dhe qytetarëve të tjerë se, jo të gjithë janë të barabartë para ligjit”, përfundoi Noka.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme