Zgjedhjet në Kukës/ Celibashi: Partitë të emërojnë anëtarët e numërimit

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka deklaruar se pas mbylljes së procesit të votimit në zgjedhjet e pjesshme vendore në Kukës, ku garojnë Albert Halilaj i Partisë Socialiste dhe Emri Vata i koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
“Pas përfundimit të marrjes në dorëzim të të gjitha kutive të votimit dhe pranimit të tyre të rregullta në masën 100% nga KZAZ Kukës, KQZ Shqipëri i bën thirrje subjekteve zgjedhore që kanë të drejtë të emërojnë anëtarët e Grupeve të Numërimit të Votave që të veprojnë pa humbur kohë dhe të vijojnë me detyrimin ligjor të numërimit të votave në mënyrë të pandërprerë.”- shkruan Celibashi.
Sipas KQZ-së në këto zgjedhje morën pjesë 45,63% e qytetarëve me të drejtë vote. Krahasuar me zgjedhjet e 14 majit kur pjesëmarrja arriti mbi 52%, këtë të drejtë sot e ushtruan më pak qytetarë.
Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, nga Kukësi ku vëzhgoi nga afër procesin zgjedhor tha se procesi i votimit u krye normalisht, pa probleme në aspektin teknik.
Ai tha se janë raportuar veç disa shqetësime nga ana e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për persona që shënonin emrat e votuesve në qendra votimi të tjera.
“Nga çfarë është raportuar nuk rezulton se ka pasur probleme në aspektin teknik të zhvillimit të procesit. Janë prezantuar disa shqetësime nga përfaqësues së koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në lidhje me prezencën në disa qendra të votimit të personave që mbanin shënim zgjedhësit që shkonin për të votuar.
Kemi shkuar në këto qendra, të paktën në atë kohë nuk ka rezultuar që ka pasur njerëz dhe në përgjithësi nuk ka raportim për problematika. E kemi adresuar si shqetësim”, tha Celibashi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




