Debati i Kryeministrit Edi Rama me Rusinë, merr vëmendjen e mediave të huaja

Debati që kryeministri Edi Rama pati një ditë më parë me ambasadorin rus Vasili Nebenzia në fillim të takimit të këshillit të sigurimit të OKB-së ka marrë vëmendjen e medieve botërore, duke u bërë titull kryesor i disave prej tyre.
“Ndalni luftën dhe Zelenski nuk ka nevojë të flasë. Kështu i tha kreu i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Rusisë,” ky është titulli i artikullit të përgatitur nga agjencia prestigjioze e lajmeve Reuters në lidhje me atë që ndodhi një ditë më parë në takimin e KS-së.
Kryeministri Edi Rama debatoi me përfaqësuesin e Rusisë në debatin e nivelit të lartë, që u mbajt në këshillin e sigurimi të OKB-së. Në fillim të takimit, i cili drejtohej nga Shqipëria, e përfaqësuar nga Rama, pati një përplasje me ambasadorin rus Vasili Nebenzia, i cili ndërsa u përpoq të mos lejonte që presidenti i Ukrainës të fliste në takim, i kërkoi Ramës të mos bënte vlerësime me bazë politike.

“Por Rama u përgjigj duke thënë se Nebenzia po provokonte dhe po fliste për çështje që nuk kishin lidhje me takimin,” shkruan “Politico.eu”.
Ndërsa gjermania “Bild” vë në dukje faktin se Nebenzia u përpoq katër herë për të ndërprerë Ramën për mos lejuar fjalën e Zelenski, megjithatë nuk arriti të kishte sukses.
“E ndërsa Nebenzia akuzoi Shqipërinë se kishte vendosur besimet e saj politike dhe ideologjike mbi detyrimet e Këshillit, Rama iu përgjigj duke thënë se nuk ishte angazhuar në ndonjë operacion të veçantë për t’i dhënë mundësi Zelenskit që të fliste, duke iu referuar kështu luftës së Rusisë në Ukrainë, për të cilën Kremlini përdor termin operacion special.“
“‘Është mbresëlënës fakti që ju jepni leksione për shkeljen e rregullave të kësaj godine,’ u shpreh Rama, duke i thënë Nebenzians se Zelenski nuk do të kishte nevojë të fliste nëse Rusia do t’i jepte fund konfliktit që ka filluar në Ukrainë,” shkruhet në artikullin e përgatitur nga prestigjiozja “Bloomberg”.
“Drejtuesi shqiptar i Këshillit të Sigurimit kritikon Rusinë,” shkruan agjencia franceze e lajmeve “AFP”.
“Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk i kurseu fjalët kur kritikoi përpjekjen e Rusisë për të bllokuar fjalën e presidentit të Ukrainës Volodimir Zelenski në mbledhjen e së mërkurës së këshillit të sigurimit të OKB-së,” vë në dukje amerikania “Fox News”.
Gazetare E. Pepa
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




