Kriza në veri të Kosovës dhe integrimi në BE, Begaj takohet me Eskobarin në SHBA

Politikë | 3 vite më parë

Presidenti i vendit Bajram Begaj është takuar në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuar të Amerikës, me Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Gabriel Eskobar.

Begaj është takuar me Eskobarin gjatë qëndrimit në Nju-Jork ku kryeson delegacionin zyrtar të Shqipërisë në Sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Begaj ka shprehur “vendosmërinë e Shqipërisë për të forcuar marrëdhëniet e partneritetit strategjik me  SHBA dhe për të eksploruar të gjitha mundësitë që ofron partneriteti strategjik dhe lidhjet e forta midis dy vendeve”

“Situata në rajon dhe bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor, si edhe proceset integruese të këtij rajoni në Bashkimin Evropian, zunë një vend të rëndësishëm në bashkëbisedimin e Presidentit Begaj me zyrtarin e lartë amerikan. Ai i përcolli falënderimet për dedikimin e Presidentit Biden dhe administratës së SHBA për angazhimin e tyre të vazhdueshëmm në rajon, duke vlerësuar si thelbësor, rolin e SHBA-ve për rajonin tonë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në këtë takim është evidentuar edhe kriza e veriut të Kosovës, ku sipas Begajt dhe Eskobarit është e nevojshme ulja e tensioneve “në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe nisjes së zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-ve”.

Nga ana e tij, Begaj theksoi se Shqipëria do të vijojë të jetë një partner i ngushtë i SHBA-ve për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme