Ndryshimet në qeveri/ Votohen dy ministrat e rinj, Ervin Mete dhe Delina Ibrahimaj

Politikë | 3 vite më parë

Deputetët e Kuvendit janë shprehur me votë për shkarkimin e Delina Ibrahimajt si Ministre e Financave, me 105 vota pro, dhe emërimin e saj në pozicionin e ri të Ministres së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit me 73 vota pro dhe 30 kundër.

Kuvendi ka votuar gjithashtu edhe për emërimin e Ervin Metes në postin e Ministrit të Ekonomisë dhe Financave me 74 vota pro dhe 30 vota kundër.

Mete u propozua për të marrë drejtimin e këtij institucioni nga Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të PS.

Ervin Mete, është një emër i njohur në sferat e menaxhimit ekonomik të vendit. Mete ka mbajtur detyrën e drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare që nga maji 2020. Më herët ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Bordit të Autoritetit, prej shtatorit 2019.

Mete ka shërbyer si zëvendësministër i Financave dhe zëvendësministër i Ekonomisë (2013-2017), përgjegjës për politikën fiskale dhe zhvillimin ekonomik. Gjatë kësaj periudhe ka qenë thelbësisht i përfshirë në reformën e menaxhimit të financave publike dhe modernizimin e kuadrit ligjor fiskal dhe financiar, përfshirë ligjin “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit” dhe ndryshimet në ligjin “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”.

Ervin Mete ka drejtuar grupin e nivelit të lartë mes Qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë për reduktimin e kredive të këqija në sistemin bankar dhe ka mbajtur pozicionin e koordinatorit kombëtar për Programin e Reformave Ekonomike me BE.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme