Meta: Opozita do reflektojë, por ka një kriminalizim kapilar të shtetit

Opozita do të reflektojë për të kaluarën e saj politike, por më e ngutshme është përballja me “bëmat” e qeverisë socialiste.
Kështu u shpreh kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, pas prezantimit të një “libri të zi”, që opozita pretendon se dëshmon shkeljet dhe vjedhjen e zgjedhjeve të fundit në Shqipëri.
“Pa dyshim që opozita ka pasur mundësitë për të qenë më e bashkuar, më e unifikuar, më e organizuar, por nuk ka mbetur shqiptar që nuk e di se i gjithë shteti është organizuar që në 4 vjet të punojë vetëm për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve në ditën e votimeve. Të gjithë shqiptarët e dinë që secili ka një patronazhist, e ndjejnë presionin në jetën e tyre private, ekonomike, shoqërore.
Pavarësisht të gjitha problemeve që opozita ka dhe që duhet të reflektojë, pjesa më e madhe e të cilave është si rezultat i metodave diversive/subversive që përdor regjimi, që përdor shtetin kundër opozitës edhe për diversione. Pa dyshim në të gjitha rastet, asgjë nuk mund të errësojë faktin se kemi të bëjë me një kriminalizim kapilar të shtetit në çdo qelizë të tij,” u shpreh Meta.
Sipas ish-presidentit, problemet e ngritura nga opozita janë vërtetuar nga koha.
“Edhe rezoluta e fundit e Parlamentit Europian e tregoi qartë se Parlamenti nuk funksionon si një forum demokratik, llogaridhënës, por mos harroni se gjithë këto skandale, gjithë këto ndryshime në qeveri, gjithë këto probleme janë ngritur nga opozita dhe ajo duke bashkuar forcat i ka të gjitha mundësitë të jetë shumë e suksesshme dhe shumë shpejt të garantojë një ndryshim të fortë,” tha Meta.
Kryetari i Partisë së Lirisë komentoi edhe zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen në Kukës.
“Urojmë më të mirën dhe shpresojmë që qytetarët e Kukësit të japin një mesazh të qartë të dinjitetit dhe reflektimit për ndryshim,” deklaroi Meta.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




