“Rithemelimi” i PD-së: Ndryshimet në qeveri nga Rama, përpjekje e dështuar për një retush pa sukses

Zëdhënësja e grupimit të “Rithemelimit” të Partisë Demokratike, Floriana Garo u shpreh të martën në një deklaratë për shtyp se, “për Partinë Demokratike, ndryshimet e qeverisë, që Edi Rama njoftoi në Asamblenë e tij, janë thjeshtë një përpjekje e dështuar, për një retush pa sukses, të imazhit të organizatës kriminale që drejton”.
“Është e vërtetë se ai dje largoi nga qeveria Olta Xhaçkën, famoze për vjedhjen dhe përvetësimin e pronave të ushtrisë, dhe për shndërrimin e burrit të saj në investitor strategjik. Por, futi në qeveri famëziun Arbjan Mazniku, ortakun e bosit të Ndraghetës të Veronës, Migliorenzi, Mr. Babëzinë, që në postin e zëvendëskryetarit të bashkisë së Tiranës, përveç rrogës si nënkryetar, merrte edhe 11 rroga të tjera. Të pangopurin që ulej në Dubai te “Nusreti” duke porositur biftekun 1 mijë euro, së bashku me Ballukun, Fugën etj.”, tha Garo.
Sipas saj, Rama largoi dje nga qeveria Edonën e Zeusit dhe emëroi Koçiun, famoze të gjobave dhe ryshfeteve në emërime, me të cilën garanton konsolidimin e sistemit e vjedhjes, si paraardhësit e saj në fushën e shëndetësisë.
“Ai dërgoi në Arsim njërën nga eksponentët kryesore të krimit dhe korrupsionit në Shqipëri, Manastirliun, mbi të cilën rëndojnë dhjetëra dosje miliarda lekësh të vjedhura gjatë pandemisë së Covid-19, dhe mbi 20.000 mijë jetë të marra nga keqtrajtimi i saj, si dhe krime të tjera. Ai dje hoqi Kushin e Arsimit, që ishte një nxënëse në korrupsion, krahasuar me Denajn, bosen famoze të kontrabandës dhe vjedhjeve në Dogana dhe Tatime”,- nënvizoi Garo.
Sipas saj, Partia Demokratike deklaron se kjo qeveri e dalë nga zgjedhjet, në të cilat krimi u shndërrua në votë dhe vota në krim, nuk ka asnjë legjitimitet dhe, po t’u shtojmë këtyre ndryshimeve edhe emërimin e Taulant Begos në krye të rendit, organizata kriminale që drejton Edi Rama sot është më e inkriminuar se çdo qeveri tjetër në 30 vitet e fundit. Partia Demokratike fton shqiptarët në një lëvizje të fuqishme proteste për shpëtimin e Shqipërisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




