Rama nxjerr fotot e Kadastrës: Sistemi funksionon, ka shmangur korrupsionin dhe sekserët

Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbi pretendimet për mosfunksionim e sistemit online të Kadastrës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Rama ka publikuar një foto me datat e hyrjeve dhe daljeve të aplikimeve, pa sportel dhe kontakt fizik me punonjësit.
Sipas Ramës kjo ka shmangur çdo ndërhyrje dhe formë korrupsioni me sistemin e Kadastrës.
“Dhe thonë e thonë s’funksionon sistemi i ri i Kadastrës…Kjo është vetëm një fotografi e fluksit të punës së sistemit digjital, ku mund të shihen qartë datat hyrëse e dalëse të aplikimeve, pa sportel, pa kontakt fizik me punonjësit, pa mundësi ndërhyrjeje nga lart, poshtë, anash për të marrë e dhënë favore, pa shans për ryshfet sepse sistemi nuk ha mik dhe pa të gjitha sëkëllditë e tmerret e të kaluarës në marrjen e shërbimit”, shkruan Rama.
Ai thekson gjithashtu se sistemi i ri ka nxjerrë nga shërbimi “rrjetin e sekserëve dhe influencave të ndryshme” në Kadastër.
“Ndërkohë që po, e vërtetë, s’funksionon më sistemi i vjetër, zhbëhet përditë rrjeti i sekserëve, influencave të llojllojshme, buburrecave e minjve brenda kadastrës, të cilët vazhdojnë të dorëhiqen prej tharjes së burimeve të pista, vazhdon pa pushim puna për përmirësimin dhe rritjen e efiçencës së sistemit të ri, i cili ka ende problemet e veta, por edhe kështu siç është ka dhënë dy prova të mëdha, si një sistem armiqësor me korrupsionin dhe miqësor me qytetarin”, përfundon Rama në postimin e tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




