Kadastra online/ Rama: Sistemi funksionon, por noterët bëjnë gabime në aplikime

Politikë | 3 vite më parë

Kryeministri Edi Rama ka mohuar që të ketë probleme me marrjen e shërbimeve nga Kadastra, pas kalimit online. Në një konferencë për mediat, Rama tha se sistemi punon, por problemi është te mënyra e aplikimit. Sipas kryeministrit, 30 për qind e aplikimeve të noterëve janë me gabime.

Edhe një herë, kreu  i qeverisë theksoi se kalimi online i të gjitha shërbimeve të Kadastrës ka zhdukur mundësinë për korrupsion, teksa paralajmëroi se do të ketë “rrjedhje” të numrit të punonjësve ekzistues.

“Sistemi duhet të mësohet nga ata që e përdorin. Nga analizat e bëra, po ju jap vetëm një fakt, 30% e aplikimeve të noterëve, dhe noterët janë persona që nuk është se prekin kompjuter për herë të parë, bëjnë gabim. Sistemit nuk i futesh dot mik: ose ta pranon, ose jo.

Pastaj një e dhënë tjetër shumë e rëndësishme për ju është se me sistemin e ri është bërë një operacion masiv i trajtimit të aplikimeve të mbetura, që do të thotë kthim përgjigje për prapambetjet për çdo drejtori ku pavarësisht punës së madhe që u bë për disa vite, faktikisht rendi i punës ishte jo i drejtë. Duhet të mësojnë të bëjnë aplikimet siç duhet dhe kjo nuk është punë vitesh, por ditësh.

Kadastra do ketë rrjedhje të numrit të punonjësve ekzistues. Atje vijojnë dorëheqjet dhe kjo mua më mjafton për të kuptuar që po punohet, sepse për ca po dorëhiqen ata? Sepse nuk bëjnë dot më gjë. Transaksionet e zeza në raport me Kadastrën janë zero”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme