Zgjedhjet e pjesshme për kryebashkiak në Kukës, kryesia e “Rithemelimit” të PD-së zgjedh 6 kandidatë për në Primare

Politikë | 3 vite më parë

“Rithemelimi” i PD-së përgatit për të hyrë në zgjedhjet e pjesshme vendore që do të mbahen në 24 shtator 2023 për kryetarin e Bashkisë Kukës.

Përzgjedhja e kandidatit që do të përfaqeësojë “Rithemelimin” në këto zgjedhje do të bëhet nëpërmjet zhvillimit të primareve, ku anëtarësia do të votojë për kandidatin që do të dalë në këto zgjedhje.

Vendimi është marrë të mërkurën nga kryesia e “Rithemelimit”, e cila ka përzgjedhur edhe 6 kandidatët në garë. Kryesia informoi se dega e “Rithemelimit” të PD-së në Kukës propozoi 10 kandidatë, por vetëm 6 prej tyre kanë plotësuar formularin.

Kryesia, në këtë mbledhje, vendosi që primaret të mbahen të dielën më 27 gusht.

“Kryesia e Partisë Demokratike në mbledhjen e saj për organizimin e procesit zgjedhor për Primare për zgjedhjet e pjesshme të datës 24 shtator 2023 në Bashkinë Kukës, vendosi: Primaret të mbahen ditën e Diel, 27 Gusht 2023; Kandidatët e primareve do të jenë sipas listës së miratuar nga Kryesia“- thuhet në njoftim.

Mbështetur në dekretin e datës 11 gusht 2023 të Presidentit për shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë Kukës, në datën 16 gusht, KQZ ka përcaktuar afatet procedurale të cilat duhet të zbatohen nga partitë politike për regjistrimin e zgjedhjeve.

“Dega Kukës pas mbledhjes së Kryesisë realizuar me drejtuesin politik të qarkut në datën 16 gusht 2023 ka mbledhur kandidaturat për primaret për zgjedhjet vendore të datës 24 Shtator 2023. Dega ka sjellë 10 propozime të cilat janë kontaktuar nga Sekretariati Organizativ dhe janë ftuar të plotësojnë dokumentacionin e kandididimit për Primaret.

Deri sot, në afatin e fundit për pranimin e dokumentacionit kanë plotësuar formularet 6 kandidatë nga te cilët 5 janë propozuar nga dega dhe një është vetëpropozim.“- thuhet në njoftimin e kryesisë.

Kandidatët e Rithemelimit të PD-së për Primaret

  • Ardian Elezi
  • Arif Rexhmati
  • Emri Vata
  • Gëzim Shehu
  • Uran Cengu
  • Ylber Zeneli

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme