“Sterilizimi”/ Berisha: Përgëzoj SPAK, arrestimet janë dirigjuar nga Rama

Politikë | 3 vite më parë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar pasardhësin e tij, Edi Rama, se qëndron ai pas asaj që Partia Demokratike e quan “afera me koncesionin e sterilizimit”.

Në konferencën e përjavshme me gazetarët, Berisha përmendi arrestimet e realizuara një ditë më parë me ndërhyrjen e SPAK ndaj ish-zyrtarëve të lartë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe biznesmenit Ilir Rrapaj, i cili fitoi kontratën 100-milioneuroshe për sterilizimin e aparaturave dhe sallave të kirurgjisë.

Ndaj të akuzuarve rëndon padia për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.

Edhe pse i përshëndet, Berisha mendon se arrestimet e deritanishme janë vepër e kryeministrit Rama.

“Përgëzoj SPAK për lëshimin e urdhërarresteve, të cilat duhen hetuar plotësisht. Por arrestimet e kryera deri tani janë dirigjuar nga Edi Rama,” tha Berisha.

Kryetari demokrat shtoi se fajësia për këtë “aferë” duhet kërkuar te zyrtarët dhe ish-zyrtarët me pushtet politik, mes tyre edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

“Autorët kryesorë të kësaj afere të madhe janë Edi Rama dhe Ilir Beqaj. Beqaj firmosi kontratat dhe ndërmarrja Beqaj-Rrapaj ka marrë 76 mln euro. Ndërkohë fatura e koncesionit të sterilizimit pritet të shkojë deri në 170 milionë euro,” u shpreh Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme