Mediat greke: Mitsotakis darkë me liderët e Ballkanit dhe BE. Shqipëria ftohet në nivel presidenti, nuk do të përfaqësohet

Politikë | 3 vite më parë

Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian do të takohen mbrëmjen e së hënës (21 gusht) në një darkë informale të organizuar nga Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis. Protothema raporton se ftesa i është dërguar dhe Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, por kreu i shtetit nuk do të jetë i pranishëm për shkak të agjendës së paracaktuar.

Darka organizohet në kuadër të zgjerimit dhe të ardhmes europiane të rajonit. Për kryeministrin grek, synimi mbetet stabiliteti, paqja dhe siguria energjetike e Ballkanit dhe Europës Juglindore.

Sipas së njëjtës media, bëhet me dije se ftesës së Mitsotakis i janë përgjigjur Presidentja e KE, Ursula Von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Po ashtu, në takimin që do mbahet në Athinë në hotelin “Britania e Madhe”, do të marrin pjesë edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatovic, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski dhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Kjo darkë vjen pak ditë pas rritjes së tensioneve mes Greqisë dhe Shqipërisë, për shkak të çështjes Beleri.

Pak ditë më parë, në Himarë u mbajt një protestë në mbështetje të Fredi Belerit, i cili prej 12 majit ndodhet në paraburgim, në të cilën merrnin pjesë Kryebashkiaku i Athinës dhe Selanikut. Në këtë protestë, dy kryebashkiakët paralajmëruan përkeqësim të marrëdhënieve shqiptaro-greke nëse nuk do të lirohej Beleri.

Ky paralajmërim solli gjithashtu edhe reagimin e Kryeministrit Edi Rama i cili theksoi se Greqia nuk duhet të ndërhyjë në vendimet e drejtësisë shqiptare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme