PD, Karabina apel SPAK-ut: Të hetohet seriozisht “Mali i Tiranës“, paratë e krimit po pastrohen në kulla dhe beton

Politikë | 3 vite më parë

Partia Demokratike kërkoi sërish të mërkurën nga SPAK, që të hetojë seriozisht ndërtimin e kullës më të re në mes të Tiranës, siç ajo e etiketon “Mali i Tiranës”.

Zëdhënësja e PD-së, Mirela Karabina, u shpreh për mediat se si në rastin e incerenatorëve, ku hetimet e deri më tanishme të SPAK kanë vërtetuar lidhjet direkte të ministrave të Ramës me vjedhjen e shekullit, edhe në rastin e ndërtimeve në Tiranë “duket qartazi se paratë e botës së krimit po pastrohen në kulla dhe beton”.

“Fijet e dukshme dhe të padukshme të politikës dhe pastrimit të parave të botës së krimit janë baza mbi të cilën është ndërtuar dhe qëndron në këmbë pushteti i Edi Ramës. Vetëm këputja e këtyre fijeve do të mund ta çlirojë politikën nga pengmarrja e krimit dhe t’i krijojë shqiptarëvë hapsirë për të përmirësuar jetën e tyre.”- deklaroi Karabina.  

Sipas saj, Partia Demokratike ka prezantuar dhe inisiativat e saj që ka të bëjë me vetting-un e politikanëve, sipas parimit, “Ndiq paranë dhe lidhjet me krimin”, që do të pastrojë politikën nga të korruptuarit për t’i dhënë fund epokës së korrupsionit në mënyrë që politikanët mos jenë më në shërbim të oligarkëve dhe interesave kriminalë të tyre, por në shërbim të interesit publik;

„Miratim i një pakete ligjore radikale kundër krimit dhe korrupsionit në nivele të larta, jo vetëm për dënimin e korrupsionit, por dhe sekuestrimin e pasurive që vijnë nga këto afera që fshihen pas oligarkëve. Partia Demokratike është në betejë të papajtueshme me korrupsionin“- përfundoi deklaratën Karabina.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme