Pezullimi i fondeve IPARD II, Basha: Do kërkojmë ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar

Politikë | 3 vite më parë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se do të kërkojnë ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të zbardhur akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II.

Në një postim në Facebook, Basha akuzon qeverinë për abuzim me fondet “për të favorizuar klientët e zakonshëm që me këto fonde ndërtojnë vila në komplekset luksoze të bregdetit”.

Basha thekson se prioritet i partisë që ai drejton do të jetë lufta kundër korrupsionit.

“Nuk është hera e parë që propagandës dhe retorikës shtinjake i del boja. Kur arritjet imagjinare ndeshen me faktet, duket qartë se e vetmja gjë që ka ndërtuar Edi Rama është një shtet i të korruptuarve. Kështu ka ndodhur me mega-aferën e Inceneratorëve, kështu po ndodh me fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë. Vendimi i Brukselit për pezullimin e granteve të programit IPARD tregon makutërinë e kësaj qeverie, që abuzon edhe me fondet e BE-së, duke lënë në mëshirë të fatit fermerët e ndershëm të këtij vendi, për të favorizuar klientët e zakonshëm që me këto fonde ndërtojnë vila në komplekset luksoze të bregdetit.

Për këtë skandal që nxiu faqen e Shqipërisë përpara partnerëve europianë dhe që pengon rrugëtimin tonë drejt BE-së, Partia Demokratike do të kërkojë ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të zbardhur shpërdorimin e fondeve për bujqësinë dhe për të garantuar transparencën që qytetarët meritojnë. Lufta e pakompromis ndaj korrupsionit dhe fundi i pandëshkueshmërisë në nivelet e larta të politikës janë prioritete të Partisë Demokratike, arritja e të cilave garanton ndryshimin që shqiptarët presin”, shkruan Basha.

Delegacioni i BE njoftoi më 17 korrik ndërprerjen përkohësisht të fondeve për bujqësinë në Shqipëri, në kuadër të programit IPARD II. Ndërprerja e rimbursimeve u bë pas një hetimi të kryer nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), për korrupsion në zbatimin e IPARD II në vitet 2014-2020.

Ministria e Bujqësisë reagoi duke thënë se vendimi përfshinë pezullimin e një pjese të shpenzimeve të radhës. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, bëhet fjalë për një procedurë standarde të BE në kushtet kur ka nevojë të verifikohen shpenzime të dyshuara për aktivitet jo sipas rregullave të përcaktuara.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme