Kanabisi në Zall Herr/ Berisha: Skandal i turpshëm për ushtrinë, Peleshi të japë dorëheqjen

Politikë | 3 vite më parë

Kreu i grupimit të Rithemelimit të PD Sali Berisha, ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi pas lajmeve se në repartin e trupave speciale të Zall Herrit u gjendën të mbjella bimë kanabis-sativa.

Në një deklaratë në emër të PD të publikuar në rrjetet sociale, Berisha shkruan se “në repartin ushtarak më të ruajtur të të gjithë ushtrisë shqiptare në territorin strikt të mbrojtur të repartit të trupave elitë të ushtrisë tonë, në Zall Herr janë gjetur plantacione me qindra e qindra rrënjë kanabis“.
 
“Partia Demokratike deklaron se ky skandal i turpshëm i pashembullt në historinë e ushtrisë shqiptare, ushtri njëkohësisht e Aleancës së Atlantikut të Veriut, implikon thellë dhe me përgjegjësi të rëndë narkoministrin Peleshi i cili është akuzuar për parcela kanabisi gjatë periudhës që ka qenë ministër bujqësie, shtabin e përgjithshëm, zbulimin, policinë ushtarake shërbimet inteligjente të ushtrisë dhe komandën e rapartit të trupave speciale të Zall Herrit” shkruan Berisha. 

Sipas tij, “Ky skandal dëshmon tragjikisht shnëdrrimin e ushtrisë e narkoshtetit të Edi Ramës që është dhe narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë në narko-ushtri sikur të ishte ushtri e talebanëve dhe jo ushtri e një vendi anëtar të NATO-s“.

“Partia Demokratike e Shqiperisë dënon me forcën më të madhe këtë skandal të turpshëm për ushtrinë, por dhe shtetin shqiptar dhe kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministrit kanabisit Peleshi si dhe vendosjen para ligjit të gjithë përgjegjësve të këtij akti të turpshëm dhe kriminal të shëmtuar” përfundon deklarata e kreut të grupimit të Rithemelimit të PD-së, Sali Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme