Vaksinimi kundër gripit, mbi 5 mijë persona të vaksinuar deri tani në Shkodër

Shëndet | 10 minuta më parë

Mbi 5 mijë qytetarë në Shkodër kanë marrë vaksinën kundër gripit gjatë pesë javëve të para të fushatës së këtij viti. Sipas të dhënave të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, procesi po vijon me ritme të mira, ndërsa numri i personave të vaksinuar është më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve të mëparshme. Nga 14 mijë dozat e planifikuara për qarkun e Shkodrës, deri tani kanë mbërritur më shumë se gjysma e këtij kontingjenti.

“Vaksinimi po ecën mirë. Nga Instituti i Shëndetit Publik janë parashikuar 14 mijë doza për këtë sezon. Aktualisht, ne kemi marrë 8 mijë doza. 7 mijë doza janë marrë në fazën e parë të vaksinimit. Ditën e martë kemi marrë në dorëzim edhe 1 mijë doza të tjera. Deri më tani, qytetarëve u janë aplikuar rreth 5 500 doza vaksine”, u shpreh Kejsi Spahija, Drejtuese e NJVKSH Shkodër.

Prioritet edhe në këtë fushatë mbeten grupet më të rrezikuara ndaj komplikacioneve nga gripi ndërkohë që për raste të veçanta vaksinimi po ofrohet edhe në banesa.

“Në përgjithësi, interesi më i madh vjen nga kategoritë që përfshijnë personat me sëmundje kronike, të moshuarit, personelin e shkollave, si dhe të sëmurët që marrin trajtime me imunoterapi apo kimioterapi. Për banorët që e kanë të pamundur të paraqiten për vaksinim, qoftë për arsye të vështirësive në lëvizje apo për faktorë të tjerë, vaksinimi dhe shërbime të tjera shëndetësore ofrohen edhe në banesë”, tha ajo.

Interesi për vaksinimin kundër gripit në Shkodër ka ardhur në rritje nga viti në vit. Më të interesuarit vijojnë të jenë personat e moshës së tretë dhe ata që vuajnë nga probleme të ndryshme shëndetësore, të cilët e konsiderojnë vaksinimin një masë të rëndësishme parandaluese përballë virozave sezonale, që gjatë viteve të fundit janë bërë gjithnjë e më të shpeshta.

Gazetare: A. Hoti

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme