Ligji i zgjedhjeve, Parlamenti shtyu afatin e Komisionit të Posaçëm, Celibashi: Duhet reformuar sistemi i administrimit

Politikë | 3 vite më parë

Një nga vendimet e fundit që mori Parlamenti në mbyllje të sesionit plenar, ishte edhe zgjatja e afatit të punës së Komisionit të Posaçëm për Reformën zgjedhore.

Burime i thanë RTSH-së se baza e punës së Komisionit të Posaçëm do të jenë rekomandimet e pritshme të vëzhguesve ndërkombëtarë dhe propozimet e partive që lidhen me partitë politike apo sistemin zgjedhor.

Raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR do të jetë aktiv në nisje të vjeshtës së parë, për shkak se pjesë e tij do të jetë krejt procesi zgjedhor, përfshirë edhe zgjedhjet e pjesshme në Rrogozhinë, që u mbajtën në 23 korrik.

Komisioni i Posaçëm parlamentar, sipas afateve që i ka përcaktuar Kuvendi, do të duhet të punojë deri në fund të janarit të vitit 2024, por volumi i punës që ka përpara, me siguri do të kërkojë më shume kohë.

Ne një intervistë për rrjetin e RTSH-se, edhe Komisioneri Shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi paraqiti rekomandimet e veta për ndryshimet në ligjin elektoral.

“Duhet të jemi realistë që ka edhe interesa politike në këtë mes dhe secili përpiqet të adresojë interesat e veta nëpërmjet kësaj reforme. Por të paktën për aspekte teknike të administrimit të procesit zgjedhor, të ketë vullnet për ta reformuar sistemin e administrimit të zgjedhjeve në Shqipëri”, tha Celibashi.

Përbërja e komisioneve zgjedhore, sistemi zgjedhor, pragu elektoral, shitblerja e votës dhe kontrolli i financave të partive, para dhe gjatë fushatës elektorale, mbeten sfida kryesore për Shqipërinë.

Gazetare: Sonila Agostini 

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme