Sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës/ Meta: Reagim i vonuar, të riatdhesohen paratë e qytetarëve

Sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e konsideroi reagim të vonuar. Në një dalje për mediat, Meta bëri me dije se faktet për Inceneratorin e Tiranës i janë vënë në dispozicion me kohë SPAK-ut dhe tani në fokus duhet të jetë riatdhesimi i parave të qytetarëve.
Ai deklaroi se drejtësia duhet të jetë e vërtetë, e pavarur dhe të veprojë në kohë.
“Është një reagim me vonesë se faktet janë dhënë me kohë. Faktet atje ishin prej muajsh. Kam folur për drejtësinë me regji prej kohësh. Si rezultat i shkeljes së kushtetutës për kapjen e drejtësisë kam pasur shqetësimin që drejtësia duhet të jetë e vërtetë dhe e pavarur nga askush dhe duhet të veprojë në kohë. Shohim operacione të rëndësishme që po të ndodhin para zgjedhjeve do të parandalonin edhe veprimet kriminale për blerjen e tyre.
Shohim që vazhdon kjo histori ku goditjet nuk janë të menjëhershme e që faktet ulërasin se atje nuk ka incenerator. Ajo që ka rëndësi është riatdhesimi i këtyre parave të qytetarëve”, tha Meta.
Kreu i Partisë së Lirisë ka përshëndetur më tej gjetjet e raportit të Partisë Demokratike për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Ai u shpreh se gjetjet vërtetuan se “kemi të bëjmë me një organizatë kriminale e cila ka shkatërruar besimin te zgjedhjet, ka pasur institucionet dhe bën çdo përpjekje për të asgjësuar lirinë e medias, liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë dhe për të asgjësuar opozitën, gjë që nuk do e arrijë kurrë”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




