Elbasan, Basha paralajmëron ndryshime të rëndësishme në Partinë Demokratike

Kryetari i demokratëve, Lulzim Basha, paralajmëron ndryshime të rëndësishme në Partinë Demokratike. Gjatë një takimi me strukturat drejtuese të PD-së në Qarkun Elbasan ai u shpreh se “Kuvendi Kombëtar i 2 Shtatorit çel siparin e ndryshimeve të rëndësishme për Partinë Demokratike”.
Sipas tij, demokratët në mbledhjen e Këshillit Kombëtar do të përcaktojnë me votën e tyre aksionin politik, si dhe ndryshimet e nevojshme që PD-ja, “të jetë një parti bashkëkohore, me kulturë të re politike, pranë qytetarëve, me vizion e program të qartë për problemet konkrete që prekin familjet shqiptare”.
“Strukturat drejtuese të Qarkut të Elbasanit janë të vendosura për të çuar përpara riorganizimin dhe modernizimin e degëve të Partisë Demokratike për t’i prirë përballjes me kundërshtarin politik, për t’iu kundërvënë korrupsionit të pushtetit me vlera dhe alternativën më të mirë,” deklaroi Basha në rrjetin e tij social Facebook.
Për Bashën, korrupsioni që ka kapur shtetin, siç e dëshmon “afera e inceneratorëve”, i bën jetike për vendin propozimet e PD-së për pastrimin e politikës përmes vetingut “që abuzuesit me pronat, taksat dhe besimin e shqiptarëve të mos gjejnë më vend në politikë”.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




