Zhvillohen nesër zgjedhjet për kryetar të PD, publikohen qendrat e votimit

Politikë | 3 vite më parë

Partia Demokratike do të zhvillojë të shtunën (29 korrik) procesin e zgjedhjeve për kryetar të selisë blu. Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 08:00 deri në orën 19:00.

Me një njoftim në rrjetin social Facebook, PD teksa ka publikuar qendrat e votimit, ka ftuar të gjithë anëtarët demokratë që të marrin pjesë në procesin zgjedhor, të cilin e konsiderojnë si tepër të rëndësishme për ringritjen e Partisë Demokratike.

“Të nderuar anëtarë dhe drejtues të Partisë Demokratike në të gjithë Shqipërinë! Nesër më datë 29.07.2023, zhvillohet procesi i zgjedhjeve për Kryetar të PDSH!

Ftojmë të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike të marrin pjesë në këtë proces mjaft të rëndësishëm për ringritjen e PD. Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 08:00 deri në 19:00.

Ju vendosni të ardhmen e PD dhe të ardhmen e Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

Lulzim Basha, i cili synon rikthimin në krye të selisë blu, zhvilloi një ditë më parë (27 korrik) një takim me të rinj dhe anëtarë të PD-së, teksa paralelisht zhvillohej mbledhja online e Këshillit Kombëtar të thirrur nga Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi. 

Basha ka premtuar një rrugëtim dhe organizim të ri, që ka për qëllim ringritjen dhe shndërrimin e PD-së “në alternativën që duan dhe presin shqiptarët”.

Por nga ana tjetër, Këshilli Kombëtar i thirrur në një mbledhje online nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, vendosi të pranonte dorëheqjen e ish- kryetarit të PD-së, Lulzim Basha dhe të nënkryetarit, Enkeljd Alibeaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme