Mbledhja e KK të PD-së nga Bardhi, Sefa: Takim imagjinar, suksese për krijimin e partisë së parë digjitale në vend

“Takim imagjinar”. Kështu e ka komentuar sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Indrit Sefa, mbledhjen online të Këshillit Kombëtar të PD-së, të thirrur nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi.
Sipas tij, nuk ka gjë më qesharake se deklarata e sotme e Gazment Bardhit që ngarkon dhe shkarkon institucionet e PD, përfshirë dhe kryesinë, “pasi përfundon një takim imagjinar“.
“Çdo demokrat ndihet sot i turpëruar për këtë keqpërdorje të radhës që Sali Berisha po i bën deputetëve të PD për interesat e tij personale. Hallet e Sali Berishës nuk janë hallet e demokratëve. Dhe të gjithë ata që i shërbejnë qëllimeve të tij e kanë të shkruar fatin e tyre në 3 dekadat e pluralizmit shqiptar.”- deklaroi Sefa në një reagim për mediat.
Ai, me këtë rast, i ka uruar Bardhit suksese për “krijimin e partisë së parë digjitale në vend”. Sefa, jo pa ironi, vlerëson se “ky është një hap inovativ që duhet përshëndetur”.
“PD nga ana e saj do të vijoje normalisht procesin e reformimit të saj dhe të zgjedhjes së kryetarit në datën 29 korrik. Vetëm kështu mund ti shërbejmë qëllimit të demokratëve në përballjen me regjimin e Edi Ramës.”- theksoi Sefa.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




