Arrestimi i Pëllumb Gjokës, Berisha: Ka grabitur 100 mijë metra katrorë në Velipojë

Politikë | 3 vite më parë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar në lidhje me arrestimin e biznesmenit Pëllumb Gjoka, që erdhi si rezultat i një operacioni të gjerë të policisë, ku në pranga u vunë edhe prokurorë e eksponentë të botës së krimit.

Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi se Gjoka ka “grabitur” rreth 100 mijë metra katrorë tokë në Velipojë, me ndihmën e kryeministrit Edi Rama.

“Krahas shkarkimit të Damian Gjiknurit, numrit dy të PS, sot është njoftuar arrestimi i disa krerëve të botës së krimit shtetëror dhe të lidhur me shtetin. Sot është arrestuar Pëllumb Gjoka, një nga banditët kryesorë, një njeri, i cili me ndihmën e Edi Ramës, ka grabitur rreth 100 mijë metra katrorë në Velipojë. Akuzohet edhe për vrasje njerëzish. Pëllumb Gjoka ka një motel këtu, të cilit Edi Rama i ka dhënë apo donte t’i jepte pesë yje dhe kazino. Pëllumb Gjoka ishte po kaq i afërt me Edi Ramën sa Damian Gjiknuri”, tha Berisha.

Po ashtu, Berisha hodhi akuza edhe ndaj Oltion Bistrit, ish-kreu i Forcave Operacionale po ashtu i arrestuar, duke e konsideruar si “përbindësh të krimit”

“Bistri është një nga eksponentët e krimit në Shqipëri dhe Ballkan. Ai drejtonte Drejtorinë Operacionale të Policisë së Shtetit. Oltion Bistri është një përbindshëm i krimit. Nga hajdut ordiner te autor i të gjitha llojeve të dhunimit të ligjit. Ai zbatonte urdhrat e prokurorisë për arrestimin e bashkëpunëtorëve të tij në krim, ndaj edhe ata ia mbathnin lirshëm se njoftoheshin para se të ekzekutohej urdhri. Të gjithë ata që zbatojnë ligjin, do kenë mbështetjen e plotë të PD”, u shpreh Berisha.

Aksioni policor u shtri në disa qytete të vendit, ndërsa deri më tani është konfirmuar arrestimi i drejtuesit të prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe ish-kreu i Forcave Operacionale, Olti Bistri dhe Astmer Bilali, pjesë e grupit “Bajri”.

Dyshohet se arrestimet kanë ardhur për akuzat shpërdorim detyre, korrupsion dhe pjesë e grupit të strukturuar kriminal. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme