“A keni frikë se do ju thërrasin në SPAK”/ Meta: S’kam asnjë shqetësim me drejtësinë

Politikë | 3 vite më parë

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka zhvilluar një takim me drejtuesin e grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike Sali Berisha. Meta e ka cilësuar këtë takim si të frytshëm ndërsa theksoi se opozita duhet të përballet me regjimin e Edi Ramës që ka korruptuar edhe përfaqësuesit e opozitës.

“Ishte një takim shumë i frytshëm me liderin e Partisë Demokratike dhe njëkohësisht uroj dhe besoj që të gjithë demokratët dhe opozitarët të jenë në vijën e parë të ballafaqimit me këtë regjim që investimi më i madh që ka bërë përveç djegësve, ky është edhe më i madh, është korruptimi i drejtuesve apo i përfaqësuesve të opozitës”, u shpreh Ilir Meta për mediat.

Meta vuri në dukje se qëndrimi i tij si kreu i Partisë së Lirisë është përshkallëzimi i luftës së korrupsionit veçanërisht mbi aferën e incineratorëve.

“Vendimi im është përshkallëzimi kundër luftës së korrupsionit. Vazhdimi pa ndërprerje angazhimit tonë për të denoncuar aferën e djegësve që ka shkuar mbi 700 milionë euro dhe vendosjen e autorëve të kësaj afere përpara drejtësisë edhe në raport me qytetarin shqiptar”, tha Meta.

I pyetur nga gazetarët nëse ndjehet i shqetësuar për një thirrje të mundshme në SPAK, pas asaj të Petrit Vasilit, Meta theksoi se ai nuk ka asnjë shqetësim sa i përket raporteve me drejtësinë.

“Nuk do të ketë asnjë lloj shqetësimi në raportet e Ilir Metës me drejtësinë. Shqetësimi kryesor  që afera e inceneratorëve vazhdon, që paratë e shqiptarëve digjen në lumë nga korrupsioni që ka si garant kryesor edhe kreun e aferës së djegësve që është vetë kryeministri sepse edhe z. Ahmetaj tashmë i arratisur, numri i 2 i qeverisë nuk e kishte atë fuqi që të gjithë e dinë se kush e ka. E ka ai që e garanton vazhdimin e aferës.

Mos kini asnjë shqetësim përveç shqetësimit që të mbrohen paratë e qytetarëve shqiptarë, taksat e qytetarëve shqiptarë”, shtoi më tej Ilir Meta.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme