Basha: PD duhet të modernizohet dhe të hapet ndaj të gjithë atyre që ndajnë vlera të njëjta me demokratët

Lulzim Basha, nga Gjirokastra, ka premtuar se Partia Demokratike do të modernizohet, ripërtërihet, si dhe do të hapet ndaj të gjithë atyre që kanë të njëjtat vlera me demokratët, për të ndërtuar alternativën që duan dhe presin shqiptarët.
Sipas tij, paralelisht me këto objektiva politik, PD do të bëjë gjithçka që t’u japim forcë dhe pushtet qytetarëve që ata të vendosin për të ardhmen e tyre, duke u kthyer atyre besimin te vota dhe politika.
Këto qëndrime Basha i bëri publik si pjesë e një serie takimesh që ai po zhvillon për tu zgjedhur sërish kryetar i PD-së.
Sipas tij, për kthimin e besimit tek politika është e rëndësishme ndarja e politikanëve të korruptuar dhe inkriminuar nga politikanët e pastër dhe kjo, nënvizoi ai, “mundësohet përmes vetting-ut”.
“Nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë dhe shqiptarët përveç asaj që dikton pastrimi i politikës nga të gjithë ata që kanë shpërdoruar besimin e qytetarëve, duke i shërbyer interesave korruptive dhe klienteliste.”- theksoi Basha.
Sipas tij, mjafton dosja e inceneratorëve për të kuptuar se si kjo qeveri vepron si një organizatë e strukturuar kriminale.
“Në kulmi e emigrimit qeveria shqetësohet për t’u shërbyer bandave kriminale duke legalizuar kanabisin, apo duke u vrarë shpresat studentëve me ligje anti-kushtetuese. Prandaj bëhet gjithnjë e më e domosdoshme rritja e mekanizmave të kontrollit dhe llogaridhënies së qeverisë, pavarësisht kush e drejton atë.”- deklaroi Basha nga Gjirokastra.
Për këto arsye ai shprehet se duhet të ndryshojë formulimi i Mocionit të besimit dhe atë të mosbesimit; numri i ministrive dhe rritja e Borxhit Publik të bëhen me ligj nga Parlamenti; si dhe heqjen e kontrollit politik ndaj punonjësve të administratës, duke u dhënë atyre siguri në punë.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




