Të dielën, zgjedhje në Rrogozhinë. Memolla dhe Hoxha sërish në garë për votat e qytetarëve

Politikë | 3 vite më parë

Me vendim të Kolegjit Zgjedhor, të dielën e 23 korrikut mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale vetëm për kryetarin e Bashkisë së Rrogozhinës.

Kolegji rrëzoi rezultatin e 14 majit për këtë zonë zgjedhore, pas kundërshtive të opozitës, që provoi në gjykatën zgjedhore se rezultati i shpallur nga KQZ dhe Komisioni i Sanksioneve ishte i cenueshëm.

Të dielën, në zonën zgjedhore 43 pjesë e qarkut të Tiranës, ftohen të marrin pjesë në zgjedhje rreth 31 mijë banorë të Bashkisë Rrogozhinë, të cilët do të kenë, sipas përcaktimeve të Komisionit Qendror, 54 qendra votimi në dispozicion.

Procesi nis në orën 7 të mëngjesit dhe mbyllet në 7 të mbrëmjes dhe përballë janë dy kandidatët, ai i Partisë Socialiste, Edison Memolla dhe i Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha.

Zgjedhjet mbahen vetëm për kryetarin e bashkisë, për shkak se Kolegji konstatoi në hetimin gjyqësor se rezultati i 14 majit ishte aq i ngushte sa mund të cenohej nga numri i votave që mbante një kuti votimi.

Shkak për ripërsëritjen e procesit u bë kutia e votimit në institucionin e vuajtjes së dënimit në Rrogozhinë, ku rezultoi se numri i votave ishte më i madh se ai i diferencës mes dy kandidatëve. Ndërsa për Këshillin Bashkiak, fituese është Partia Socialiste me 9 mandate dhe diferenca mes partisë qeverisëse dhe opozitës është shumë më e thellë se në rastin e garës për kryebashkiak.

Gazetare: Sonila Agostini

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme