Pezullimi i fondeve për bujqësinë nga BE, Berisha: Të hetohen edhe projektet e infrastrukturës

Politikë | 3 vite më parë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar pezullimin e fondeve nga KE për bujqësinë, për të cilin fajëson sipas tij sistemin e korruptuar. Berisha i bën thirrje KE të hetojë të gjitha fondet, e cila sipas tij do të nxjerrë në pah gjitha vjedhjet dhe korrupsionin shqiptar.

Berisha bëri thirrje që të hetohet edhe çdo ndërtim në infrastrukturë, bërë me financimet e KE.

“Sot njoftohet se Komisioni Europian pezulloi për shkak të korrupsionit, fondet për bujqësinë shqiptare. Për shkak të vjedhjes dhe shpërdorimit nga kleptokratë të parave të BE që janë jetike për bujqësinë shqiptare. Por këto para shpërdorohen dhe vidhen nga agjencitë qeveritare shqiptare. Ndaj na del edhe Akademia e Çobanëve tani dhe Materniteti i Mushkave. Por nuk është vetëm kjo vjedhje, unë i bëj thirrje Komisionit Europian, në interesin më të mirë të shqiptarëve, por edhe të taksapaguesve europianë, të hetojnë çdo projekt në infrastrukturë në Shqipëri dhe janë jo të pakta. KE ka financime të mëdha. Bajpasi i Vlorë është krejtësisht vepër e tyre dhe shume projekte të tjera. Se këta nuk vënë asnjë tabelë si mirënjohje, aty vihet tabela Salillari.
Pra, është një lajm i mirë kjo, optimist për shqiptarët, sepse institucioni hetimor i BE veproi dhe vendosi. Është e rëndësishme shumë që të dalë në pah i gjithë korrupsioni shqiptar në përmasat e tij”, tha Berisha.

Ndalur tek arratisja e Ahmetajt, për të cilin e konsideroi arratisjen e shekullit, Berisha tha se kombit i arratiset zyrtari numër 2 por që kryeministri Rama nuk reagon pasi e ka porositur vetë.

“Ajo për Edi Ramën nuk ka ndodhur, sepse e ka porositur vetë. Shtetit i arratiset zyrtari i dytë më i lartë i ekzekutivit. Për bosin e organizatës kriminale, kjo nuk ka ndodhur. Ndaj dhe me një paturpësi dhe cinizëm ekstrem, rrahte gjoksin, fliste për drejtësinë me ministrat në arrati dhe nuk fliste për arratinë dhe paturpësinë në një mungesë totale respekti ndaj qytetarëve”.

Berisha komentoi edhe legalizimin e kanabisit mjekësor nga qeveria, ku tha sepo bën që Shqipëria të kthehet në një narkoshtet.

Fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë në Shqipëri në kuadër të programit IPARD II janë pezulluar përkohësisht. Nëpërmjet një njoftimi për mediat, Delegacioni i BE bën me dije se ndërprerja e rimbursimeve është bërë pas një hetimi të kryer nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], për korrupsion në zbatimin e IPARD II.

/rtsh.al/

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme