“Non Grata” nga Britania e Madhe/ Berisha: Akuzat, pa baza! Vendosa të padis ambasadorin King-Smith

Politikë | 3 vite më parë

Pothuajse 1 vit pas shpalljes “non grata” nga Britania e Madhe, ish-kryeministri Sali Berisha, në një konferencë të posaçme, ka bërë publik raportin e Home Office”. Ai pretendon se raporti është i bazuar në “shpifje dhe trillime, ndërsa bën me dije se ka vendosur të padisë për shpifje ambasadorin britanik në Shqipëri, Alastair King-Smith.

Ai sqaron se është njohur me detajet e raportit, pikërisht pas kërkesës për të paditur King-Smith, pasi sipas ligjeve britanike, fillimisht duhej paraqitur kërkesë me shkrim në komisionin administrativ, që më pas i ka  dorëzuar avokatëve të tij provat mbi të cilat është bazuar vendimi.

“Jam këtu sot pothuajse një vit pasi Home Office me shpalli non-grata me akuza false për lidhje me krimin dhe përdorim pushteti për pasurimin tim, të familjes, ish-këshilltarit Damir Fazlliç dhe aleatëve.

Pas këtij vendimi që e shpalli Edi Rama në parlament, deklarova se ky vendim bazohet në shpifje dhe trillime, që kanë në bazë korrupsionin transnacional. Njësoj si në rastin e sekretarit Blinken, vendosa të padis ambasadorin King-Smith dhe titullarin pa emër që kishte firmosur letrën. Mirëpo sipas ligjeve britanike, përpara se të shkoja në gjykatë dhe të paraqitja padinë time për shpifje, duhet të paraqisja një kërkesë me shkrim në komisionin administrativ, që funksionon mbi parimet e një gjykate. Ky komision iu ka dorëzuar avokatëve të mi, faktet, burimet dhe provat mbi të cilat është bazuar vendimi. Prandaj unë në këtë raport kam paraqitur të gjitha këto dokumenta. Këtë raport do e quaj raportin e transparencës”, tha Berisha.

Sipas Berishës, vendimi për shpalljen e tij “non grata” është marrë me qëllimin për të goditur opozitën, teksa përgjegjës bën kryeministrin Edi Rama.

“Këtë material po e publikoj se çdo shqiptar duhet të kuptojë se çfarë po ndodh me kombin e tij. Kushdo që do e lexojë do kuptojë një të vërtetë të tmerrshme, e cila u pa qartë në shpërthimin e skandalit McGonigal, në grabitjen e vulës së PD në prag të zgjedhjeve me insistimin e McGonigalit me fustan, guvernatores Yuri Kim, kjo e vërtetë u pa në farsën elektorale të vitit 2023. Opozitës shqiptare po i bëhet një sulm i hapur për asgjësimin e saj. Këtë sulm ndaj opozitës po e organizon vetë kryeministri Edi Rama dhe bashkë me të, mafia më e rrezikshme e planetit, mafia e Sorosit.  SHBA dhe Britania nuk fshihen pas këtij sulmi. Këto shtete të mëdha, aleate të Shqipërisë, janë viktimë e disa mollëve të kalbura që kanë rënë në rrjetën e Sorosit si McGonigal apo Yuri Kim, që u largua nga Shqipëria si sekretare e PS. Rasti i Shqipërisë tregon se mjafton të shkatërrosh opozitën dhe mund të grabisësh një komb pa vështirësi”, shprehet Berisha.

Ish-kryeministri pretendon se dokumentet e Home Office janë bazuar në 3 burime,  Fondacioni Shoqëria e Hapur, mediat si BIRN, Balkan Insight dhe akuzat e kundërshtarëve politikë, Edi Rama, Erion Veliaj, Lulzim Basha.

“Le të ndalem të fjalët që ka pranuar shprehimisht Home Office, të cilat të shastistin. Këto lidhje vijnë nga burime pa prova. Por Home Office thotë se këto pranohen nga rasti i Fatjon Dautit, një njeri që nuk e kam takuar kurrë dhe nuk e njoh. Pak më vonë Home Office shprehet se nuk ka qenë në gjendje të provojë se Berisha ka lidhje me Dautin. Janë të pabesueshme, por janë reale. Sa për dijeni, Fatjon Dauti është një mbështetës i PD dhe më shumë se mbështetës i Lulzim Bashës. Unë nuk e kam takuar kurrë.

Rasti i dytë, Damir Fazlliç. Sipas Home Office, e kam mbrojtur kur kanë dalë fakte për inkriminimin e tij. Burimet janë BIRN, Balkan Insight, Reporter.al të superspekulantit Soros. Fazlliç nuk ka qenë kurrë i inkriminuar në Shqipëri, SHBA apo ndonjë vend tjetër. Ndaj tij në Shqipëri nuk kanë dalë kurrë prova të veprimtarisë inkriminuese gjatë kohës që kam qenë kryeministër apo më vonë. E treta, lidhja ime me bandat e Elbasanit. Burimi, Lulzim Basha. Edhe në këtë rast, ambasadori King-Smith ka përcjellë një shpifje të ish-kryetarit të PD. Ai në nëntor 2022 deklaroi se Berisha po mbledh firmat për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar me ndihmën e Suel Çelës. Unë iu përgjigja, por korrupsioni të bën të vuash nga humbja e memories. Berisha ka denoncuar bandat e Elbasanit dhe të çdo qyteti me emra dhe lidhjet e tyre zyrtare, miq të ambasadorit, më shumë se të gjithë politikanët shqiptarë së bashku. Ambasadori britanik mjafton të kishte hapur dosjet e qeverisë së tij dhe do të kuptonte se çfarë marrëzie ka shkruar. Do të duhej të lexonte dosjen e bashkëpunimit të ngushtë mes agjencive ligjzbatuese të dy vendeve gjatë qeverisjes së PD, një bashkëpunim i vlerësuar lart”, thotë Berisha.

/rtsh.al/ 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme