Rama votoi për arrestimin e Ahmetajt: Shpjegimet për votën do i jap sot pasdite

Politikë | 3 vite më parë

Kuvendi miratoi sot kërkesën e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion për arrestimin e Arben Ahmetajt mbi aferën e incineratorëve. Midis 117 votave pro që i hap rrugë arrestimit të Arben Ahmetajt, ishte edhe Edi Rama.

Ndërkaq, nuk ka pasur asnjë votë dhe kanë abstenuar 3 deputetë.

Sa i përket votimit pro, ka reaguar edhe vetë Edi Rama i cili shkruan në Twitter se do të japë shpjegimet e nevojshme sot pasdite në orën 18:30 në një konferencë për mediat.

“Pasdite në 18.30 do t’i drejtohem opinionit publik me një adresim për votimin e sotëm në Kuvend“, shkruan Rama. 

Më herët seanca u shoqërua me debate teksa ish-kryeministri Berisha kërkoi që kryeministri Rama të japë shpjegime për Arben Ahmetajn dhe aferën e incineratorëve. Pas fjalës së Berishës, kryeministri Rama u largua nga Kuvendi duke i lënë vendin diskutimeve të opozitës.

Hetimi ndaj Ahmetajt dhe kërkesa e SPAK

Hetimi për ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj ka përfshirë edhe bisedat telefonike të tij të para 11 viteve.

Nga këqyrja e tyre rezultoi se nga data 21 korrik 2012 deri në 10 tetor 2012, pra në gati tre muaj, të ketë patur 138 komunikime telefonike dhe 3287 mesazhe mes Ahmetaj dhe Mirel Mërtirit.

Më pas SPAK thotë se janë faktuar edhe lidhjet mes Ahmetajt dhe Klodian Zotos, biznesmenit të inceneratorëve.

Sipas hetimeve rezulton që ai të ketë përfituar rreth 500 mijë euro përfitime të nisura që nga viti 2016 deri më 2020.

SPAK ka arritur të zbulojë edhe shkëmbime e-mailesh kur Zoto informohej mbi procedurat për inceneratorët. Në një nga këto e-maile del edhe emri i Alda Klosit, ish-sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Financave.

Nga ana e tij, Arben Ahmetaj nuk është përballur deri më tani me këto akuza duke u larguar jashtë territorit të Shqipërisë, ndërsa në një reagim para seancës së Kuvendit, Ahmetaj shkruan se ai ka udhëtuar për probleme personale e familjare, por pa dhënë të tjera detaje mbi vendin ku ndodhet. Megjithatë, tashmë ndodhet para kërkesës së SPAK-ut për arrestimin e tij mbi aferën e incineratorëve. 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme