Deputeti Pëllumbi: PS nuk do të bëhet avokat i askujt, nëse procedurat e ndjekura janë ligjore

Politikë | 3 vite më parë

Partia Socialiste nuk do të bëjë avokatin e askujt, por nga ana tjetër do të shqyrtojë me kujdes procedurat e ndjekura, lidhur me kërkesën për heqjen e imunitetit dhe më pas arrestimin e ish- ministrit, Arben Ahmetaj, njëkohësisht edhe deputet i PS.

Ky qëndrim u shpreh nga deputeti i PS-së, Arben Pëllumbi, në një komunikim me mediat të mërkurën, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, që po shqyrton kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe dhënien e autorizimit për arrestimin e Ahmetajt.

Deputeti Pëllumbi u shpreh se seanca e posaçme për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Financave do të shqyrtohet të hënën në Kuvend, për shkak se mazhoranca, pas dëgjimit edhe të avokatëve të Ahmetajt, do të përgatisë një raport për procedurat e ndjekura dhe akuzat që rëndojnë mbi ish- ministrin.

Ai nënvizoi se për sa kohë që shumica parlamentare do të bindet se procedura është e rregullt dhe se nuk ka fakte që vërtetojnë se ka një tejkalim të kërkesave për heqje imuniteti, ajo nuk do të bëhet avokatja e askujt.

“Do të përgatitet raporti i mazhorancës. Sot dëgjuam palën mbrojtëse, sepse nuk mund të bëjmë raport pa dëgjuar edhe palën mbrojtëse. Të hënën në orën 17:00, do të kemi një seancë të posaçme. Këshilli i Mandateve nuk është gjykatë. Për sa kohë bindemi se procedura është e rregullt dhe nuk ka fakte që vërtetojnë se ka një tejkalim të kërkesave për heqje imuniteti, nuk do të jemi avokat i askujt”,- deklaroi Pëllumbi.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme